Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli-Dalipi, ka thënë se ndërtimet pa leje në Brezovicë do të trajtohen njësoj si në zonat e tjera të mbrojtura. Ajo ka bërë të ditur gjithashtu se kanë nisur analizat për projektin e qendrës së skijimit, për të cilin, sipas saj, janë dedikuar 500 milionë euro.
E pyetur në “Përballje Podcast” në Telegrafi për ndërtimet pa leje në Brezovicë, Prevallë dhe Rugovë, Pacolli-Dalipi tha se Ministria do ta zbatojë ligjin në secilën prej këtyre zonave.
“Kur flasim për ndërtimet ilegale, secila zonë e mbrojtur do të trajtohet njësoj dhe do të zbatojmë ligjin në secilën pjesë”, deklaroi ministrja, shkruan Telegrafi.
– YouTube youtu.be
Duke folur për parqet kombëtare, ajo tha se ndalimi i bartjes së materialeve ndërtimore në zonat e mbrojtura ka penguar, sipas saj, një numër të madh ndërtimesh pa leje.
Ministrja tha se objektet e ndërtuara pa leje do të trajtohen një nga një.
Në çfarë faze është projekti i skijimit?
“Në Brezovicë ne synojmë të ndërtojmë Qendrën e Skijimit, e cila do të jetë qendër e veçantë dhe atraktive për rajonin”, tha Pacolli-Dalipi.
Sipas ministres, projekti përfshin disa ministri dhe për realizimin e tij po punon një grup punues.
Ajo tha se “500 milionë euro janë të dedikume” dhe se puna deri më tani është përqendruar te analizat paraprake.
“Për projektin e Brezovicës kemi fillu hapat e parë, analizat e para që duhet me u ba”, tha ajo./Telegrafi/

