KORREKT / SOT24 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Bota

Një mosmarrëveshje e re mes BE-së dhe SHBA-së lidhur me “renditjen e hapave” në bisedimet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë

Një mosmarrëveshje e re mes BE-së dhe SHBA-së lidhur me “renditjen e hapave” në bisedimet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë

Një pikë mosmarrëveshjeje ka lindur mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara lidhur me renditjen e hapave në bisedimet e paqes për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës; konkretisht, se kur dhe si duhet trajtuar çështja e arkitekturës së sigurisë evropiane.

Udhëheqësit evropianë e shohin këtë temë si një kurth rus dhe këmbëngulin se, fillimisht, duhet të vendoset një armëpushim në Ukrainë. Megjithatë, në një postim në rrjetet sociale, i dërguari i posaçëm amerikan Jared Kushner – i cili po ndërmjetëson negociatat – u shpreh se çështja duhet trajtuar drejtpërdrejt, pa vonesa.

“Garancitë e sigurisë për Ukrainën nuk mund të finalizohen të shkëputura nga arkitektura e sigurisë evropiane të pasluftës. Të dyja duhen shqyrtuar së bashku”, shkroi Kushner.

Ai theksoi se, mes këtyre garancive të mundshme, përfshihet një dispozitë e modeluar sipas Nenit 5 të NATO-s për mbrojtjen kolektive, e cila do të ndihmonte Ukrainën në rast të një sulmi të ri rus.

Kushner paralajmëroi se presidenti amerikan Donald Trump do ta miratonte një klauzolë të ngjashme me Nenin 5 vetëm nëse “aranzhimet më të gjera të sigurisë do ta bënin tejet të pamundur nevojën për të aktivizuar ndonjëherë atë garanci”.

Sipas tij, kjo e bën të domosdoshme që çështja të jetë në tryezë që në fillim, si pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë.

“Asgjë nuk është e rënë dakord derisa të arrihet marrëveshja për gjithçka”, tha ai.

Qëndrimi i Kushnerit bie ndesh me pikëpamjen e Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe udhëheqësve të tjerë evropianë.

Ata janë të një mendimi se i takon Rusisë të rivendosë arkitekturën e sigurisë – të cilën kombet evropiane e kishin krijuar pas Luftës së Dytë Botërore përmes traktateve dhe konventave të shumta, e të cilën Moska e shkeli kur pushtoi Ukrainën.

Von der Leyen thekson se diskutimet mbi arkitekturën e sigurisë varen nga vendosja e një armëpushimi në Ukrainë nga ana e Rusisë dhe nga demonstrimi i një angazhimi të sinqertë për paqen.

E pyetur për postimin e fundit të Kushnerit, Komisioni Evropian e mbajti të pandryshuar qëndrimin e tij.

“Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar që nga java e kaluar” deklaroi Paula Pinho, zëdhënësja kryesore e Komisionit, në përgjigje të një pyetjeje nga Euronews, përcjell Telegrafi.

“Pra, pasi të vendoset armëpushimi, atëherë mund të zhvillohen diskutime mbi arkitekturën e sigurisë së Evropës. Këto diskutime duhet të zhvillohen në forumin e duhur, që do të thotë me përfshirjen e plotë të aleatëve të NATO-s dhe shteteve anëtare të BE-së”, shtoi ajo.

“Ne, pra, mbetemi në qëndrimin tonë”.

Kancelari Friedrich Merz mbështeti qëndrimin e von der Leyen të enjten e kaluar, ndërsa priste aleatët – përfshirë Kushnerin – në një takim të “Koalicionit të të Vullnetshmëve” në Berlin.

Takimi shërbeu si një kundërshtim i fortë ndaj çdo përpjekjeje për ta ndarë kontinentin në sfera ndikimi.

“Ajo që nevojitet tani është sekuenca e duhur, rendi i duhur: së pari paqja në Ukrainë, e më pas marrëveshjet për sigurinë euroatlantike”, tha Merz në konferencën përmbyllëse për shtyp.

“Moska e di: kërkesat e saj maksimaliste të dhjetorit 2021 janë jorealiste”.

Këto kërkesa rishfaqën në një dokument të paraqitur nga Rusia gjatë raundit të fundit të bisedimeve në Abu Dabi.

Sipas “New York Times”, kjo listë kërkesash i bën thirrje NATO-s të ndalojë zgjerimin e saj, të tërheqë trupat në kufijtë e vitit 1997 dhe të ndërpresë mbështetjen ushtarake për Ukrainën.

Evropianët i kanë hedhur poshtë kategorikisht këto kërkesa, duke i cilësuar si një manovër për të hequr vëmendjen nga Ukraina dhe për të siguruar të drejta vetoje, mbi të cilat Rusia nuk ka asnjë pretendim legjitim.

“Ajo që nuk mund të ndodhë është që ne të detyrohemi ta kthejmë NATO-n në kufijtë e vitit 1997, ose qëndrimi ynë të përcaktohet nga të tjerë e jo nga vetë aleatët”, deklaroi të hënën Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.

Megjithatë, rëndësia që si Moska, ashtu edhe Uashingtoni i kanë kushtuar arkitekturës së sigurisë, e bën gjithnjë e më të vështirë për evropianët që ta shpërfillin këtë çështje.

Madje, në biseda private, zyrtarët pranojnë se kjo temë do të duhet të diskutohet, në një mënyrë apo në një tjetër, thekson shkrimi i Euronews.

Prova e vërtetë do të vijë nëse dhe kur Rusia të pranojë të zhvillojë bisedime shumëpalëshe – me SHBA-në, Ukrainën dhe Evropën njëkohësisht – diçka që ajo deri më tani ka refuzuar ta bëjë.

Në postimin e tij, Kushner u shpreh se SHBA-ja synon të arrijë një “mirëkuptim të përbashkët” mbi arkitekturën e sigurisë “gjatë javëve në vijim”. /Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.