Milan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq dyshohet se kanë udhëtuar së bashku drejt Kirgistanit, sipas informacioneve të mediumit serb Nova.rs, nga një burim i njohur me lëvizjet e tyre.
Lëvizja e tyre e dyshuar vjen në kohën kur ndaj Radoiçiqit është lëshuar fletarrestim nga Gjykata e Lartë në Beograd, pasi ai nuk është paraqitur në polici më 15 nëntor, siç ishte obliguar nga masa e caktuar gjyqësore.
Gjykata, më 17 nëntor, i caktoi atij paraburgim dhe urdhëroi lëshimin e fletarrestimit, me arsyetimin se ekzistojnë rrethana që tregojnë se ai po fshihet, përkatësisht se është në arrati.
Radoiçiq, që nga tetori i vitit 2023, kishte masën e ndalimit për t’u larguar nga vendbanimi, pas dëgjimit lidhur me sulmin në Banjskë. Atij i ishte konfiskuar pasaporta, i ishte ndaluar largimi nga territori i Serbisë pa lejen e gjykatës dhe ishte obliguar të paraqitej në polici çdo datë 1 dhe 15 të muajit.
Sipas të dhënave të Policisë së Savski Venacit, të dërguara në gjykatë, Radoiçiq ishte paraqitur për herë të fundit më 1 nëntor.
Disa ditë para lëshimit të fletarrestimit, ish-inspektori i pavarur i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë (BIA), Milan Zvezdanoviq, kishte deklaruar për N1 se, sipas informacioneve jozyrtare nga strukturat e sigurisë, Radoiçiq kishte lënë Serbinë dhe ishte nisur drejt Moskës.
Ndërkaq, Veselinoviq, sipas raportimit të Radios Evropa e Lirë, më 11 nëntor kishte udhëtuar nga Sarajeva drejt Stambollit me fluturim të rregullt. Burime të sigurisë në Bosnjë e Hercegovinë kishin konfirmuar se ai kishte përdorur pasaportë serbe dhe se me të ishte edhe vëllai i tij, Zarko Veselinoviq.
Arsyeja e largimit të Veselinoviqit nga Bosnjë e Hercegovina nuk ishte bërë e ditur.
Radoiçiq dhe Veselinoviq prej vitesh janë bashkëpunëtorë të afërt në biznes, ndërsa emrat e tyre janë lidhur publikisht edhe me kontrata që kompanitë e tyre kanë përfituar nga shteti.
Në fund të vitit 2021, Departamenti amerikan i Thesarit u vendosi sanksione të dyve, nën akuza për krim të organizuar dhe korrupsion. Në arsyetimin e sanksioneve, Veselinoviq ishte cilësuar si udhëheqës i një grupi të krimit të organizuar, ndërsa Radoiçiq si zëvendësi i tij.

