Ishte një mbrëmje e bukur vjeshte, por në Prizren atmosfera ishte si në ditët më të mëdha të futbollit. Mbi pesë mijë qytetarë, tifozë të futbollit dhe anëtarë të grupit të njohur “Arpagjikët”, iu drejtuan stadiumit “Përparim Thaçi” për të përjetuar një ndeshje të veçantë: futboll nën dritën e reflektorëve.
Liria e Prizrenit po rikthehet fuqishëm. Një prej klubeve më të mëdha dhe me historinë më të pasur në futbollin kosovar, tashmë po dëshmon se është një klub i organizuar, me synime të qarta dhe me ambicie për t’u rikthyer aty ku e ka vendin – në Superligën e Kosovës.
Prizrenasit nuk po flasin vetëm për rikthimin në elitë, por po e ndërtojnë atë në fushë dhe jashtë saj. Këtë e dëshmon edhe iniciativa e klubit për vendosjen e reflektorëve në stadium, duke krijuar mundësinë që ndeshjet të zhvillohen edhe në orët e mbrëmjes.
Një qytet, një klub dhe mbi pesë mijë tifozë
Ndeshja e fundit si vendëse për stinorin vjeshtor, ndaj Rilindjes 1974, u shndërrua në një festë të vërtetë futbolli. Stadiumi që mban emrin e heroit Përparim Thaçi u mbush me tifozë, ndërsa atmosfera e krijuar në tribuna i dha ndeshjes një pamje që rrallë shihet në këtë nivel të futbollit kosovar.
Për herë të parë, Liria luajti në shtëpi nën reflektorë, ndërsa përgjigjja e qytetit ishte madhështore. Mbi pesë mijë tifozë u mblodhën për të përkrahur skuadrën, me “Arpagjikët” që i dhanë ngjyrë dhe zë festës në tribuna.
Ishte më shumë se një ndeshje e Ligës së Parë. Ishte një dëshmi se Prizreni vazhdon ta ketë futbollin në zemër dhe se Liria mbetet një pjesë e rëndësishme e identitetit sportiv të qytetit.
Kurtaj spektakolar, Liria triumfon 3-0
Në fushë, Liria e kurorëzoi këtë mbrëmje me një fitore bindëse 3-0 ndaj Rilindjes 1974, një kundërshtare që konsiderohet ndër ekipet e forta të Ligës së Parë.
Ndeshjen e hapi talenti Niki Likaj, i cili realizoi me kokë pas një harkimi nga këndi, duke ndezur festën në stadium.
Më pas, skenën e mori Albion Kurtaj. Futbollisti që po zhvillon një sezon të jashtëzakonshëm dhe që po konsiderohet ndër më të mirët në këtë nivel, realizoi një gol spektakolar nga goditja e dënimit, edhe pse nga një pozitë mjaft e vështirë.
Kurtaj vulosi fitoren me golin e dytë personal dhe të tretin për Lirinë, sërish nga goditja e dënimit. Kësaj radhe, realizimi erdhi pas një reagimi jo të mirë të portierit kundërshtar.
Tri gola, fitore bindëse dhe një festë e madhe në tribuna – një mbrëmje që tifozët prizrenas do ta mbajnë mend gjatë.
Liria nuk ndalet, synimi është Superliga
Përtej atmosferës dhe spektaklit në fushë, Liria po dëshmon edhe me rezultate se është pretendente serioze për rikthim në elitë.
Pas 17 xhirove, skuadra prizrenase ka grumbulluar 42 pikë, me bilanc prej 13 fitoreve, tri barazimeve dhe vetëm një humbjeje. Liria është kampione e vjeshtës dhe ka nëntë pikë më shumë se ndjekësit më të afërt, Ferizaj dhe Prishtina e Re.
Trajneri Ismet Munishi dhe kapiteni Fitim Susuri nuk e fshehën kënaqësinë pas fitores, duke vlerësuar atmosferën e krijuar në stadium dhe punën e bërë nga skuadra gjatë gjithë kësaj periudhe.
Munishi theksoi se futbollistët nuk kishin pasur nevojë për motivim shtesë, pasi atmosfera në stadium dhe rëndësia e ndeshjes kishin bërë punën e tyre.
“Atmosfera ishte fantastike. Nuk kemi pasur nevojë t’i motivojmë fare futbollistët, sepse ishte hera e parë që luanim në këto kushte dhe të gjithë ishin të motivuar nga atmosfera. Për më tepër, Rilindja është një kundërshtar mjaft i fortë. Djemtë vrapuan, ishin në elementin e tyre dhe arritëm një fitore shumë të mirë”, deklaroi Munishi.
Ai vlerësoi edhe përkrahjen e tifozëve, duke theksuar se Prizreni po dëshmon çdo ditë se është qytet i futbollit.
“Sa i përket atmosferës, ne po dëshmojmë çdo ditë se Prizreni është qytet i futbollit. ‘Arpagjikët’ janë tifozë fantastikë, ndërsa Liria është klub shumë i madh. Besoj se kur të rikthehemi në Superligë, do t’i japim edhe më shumë vlerë kampionatit”, shtoi trajneri prizrenas.
Edhe kapiteni Fitim Susuri vlerësoi punën dhe përkushtimin e skuadrës, duke theksuar se rezultatet janë shpërblim për angazhimin e të gjithëve.
“Që nga fillimi kemi punuar shumë dhe jemi angazhuar maksimalisht, si stafi ashtu edhe futbollistët. Kemi arritur të krijojmë një grup të shkëlqyer dhe besoj se puna e madhe na është shpërblyer”, deklaroi Susuri pas fitores ndaj Rilindjës.
Kapiteni ishte i qartë edhe për objektivin e skuadrës: Liria nuk dëshiron të ndalet vetëm te titulli i kampionit vjeshtor.
“Nuk do të ndalemi me kaq. Synimi ynë nuk është vetëm të jemi kampionë vjeshtorë, por të rikthehemi në Superligë”, përfundoi ai.
Në Prizren, futbolli po merr sërish frymë me ritmin e ditëve të mëdha. Liria po fiton në fushë, qyteti po mbushet në tribuna dhe reflektorët e stadiumit “Përparim Thaçi” po ndriçojnë një ëndërr të përbashkët: rikthimin e klubit aty ku i takon, në mesin e më të mirëve të futbollit kosovar. /Telegrafi/

