KORREKT / SOT23 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Java e Kuzhinës Italiane sjell në Kosovë shijet dhe traditat e trashëgimisë UNESCO

Java e Kuzhinës Italiane sjell në Kosovë shijet dhe traditat e trashëgimisë UNESCO

Nga sot deri më 27 nëntor, Kosova i bashkohet edicionit të njëmbëdhjetë të Javës së Kuzhinës Italiane në Botë (SCIM), e cila këtë vit i kushtohet temës “Kuzhina italiane, trashëgimi e UNESCO-s: territoret dhe zinxhirët e prodhimit të produkteve të cilësisë së lartë”. Nisma organizohet nga Ambasada e Italisë në Prishtinë, në bashkëpunim me Agjencinë Italiane për Tregtinë (ICE) në Tiranë, e cila mbulon edhe Kosovën.

Në kuadër të Javës së Kuzhinës Italiane në Botë 2026, Ambasada e Italisë në Prishtinë, në bashkëpunim me ALMA-n, Shkollën Ndërkombëtare të Kuzhinës Italiane, ka përgatitur një aktivitet të veçantë, që zhvillohet për herë të parë në Kosovë. Nesër, më 24 nëntor, do të organizohet një garë gatimi, ku kandidatët e përzgjedhur do të prezantojnë aftësitë e tyre përpara një jurie të përbërë nga emra të njohur të gastronomisë, nën kryesimin e shefit italian të kuzhinës, Stefano Ciotti, i vlerësuar me yll Michelin. Fituesi do të përfitojë një bursë studimi të ofruar nga Ambasada e Italisë në Prishtinë, për të ndjekur një kurs profesional në ALMA, në Itali.

Po më 24 nëntor, në ambientet e Frigo Deluxe, shefi italian Stefano Ciotti do të zhvillojë një masterclass të posaçëm për rreth 40 pronarë restorantesh dhe profesionistë të gastronomisë. Përmes prezantimit dhe degustimit të disa prej gatimeve të tij, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të zbulojnë më nga afër filozofinë e kuzhinës italiane, ku cilësia dhe freskia e produkteve, thjeshtësia e përbërësve dhe respektimi i traditës zënë një vend qendror. Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe reduktimit të mbetjeve ushqimore, në përputhje me parimet e një kuzhine të qëndrueshme.

Më 25 nëntor, vëmendja do të zhvendoset te lidhja mes gastronomisë, territorit dhe trashëgimisë kulturore. Në Kolegjin UBT në Prishtinë, profesori i ALMA-s, Fabio Amadei, do të mbajë ligjëratën me titull “What We Eat Is Landscape” (Ajo që hamë është peizazhi). Përmes kësaj teme do të trajtohet mënyra se si ushqimi pasqyron identitetin e një territori, traditat e tij dhe zinxhirët e prodhimit të produkteve agro-ushqimore të cilësisë së lartë, me një fokus të veçantë te Food Valley, në Itali.

Një tjetër moment i rëndësishëm i programit do të jetë darka gala, gjatë së cilës shefi Stefano Ciotti do të prezantojë një menu të krijuar posaçërisht për këtë edicion të Javës së Kuzhinës Italiane në Kosovë. Përzgjedhja e verërave italiane, e ofruar nga Agjencia Italiane për Tregtinë (ICE) në Tiranë, do të prezantohet nga AIS Albania, e cila do t’i shoqërojë të ftuarit në një degustim të verërave dhe në një njohje më të afërt me traditën italiane të verëtarisë. Gjatë mbrëmjes do të shpallet edhe fituesi i garës së gatimit, i cili do të përfitojë bursën e studimit në ALMA, në Itali.

Gjatë gjithë javës, publiku do të ketë gjithashtu mundësi të shijojë kuzhinën italiane në disa restorante në Prishtinë, të cilat do t’i bashkohen nismës me menu të posaçme, me një çmim fiks prej 10 eurosh.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.