Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se njohja nga Greqia do të ishte një hap me peshë për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe për fqinjësi të mirë në rajon.
Ai kështu është shprehur pas takimit që ka zhvilluar në Athinë me homologun grek George Gerapetritis.
“Njohja e Republikës së Kosovës nga Greqia do të ishte një hap me peshë për marrëdhëniet tona dhe për fqinjësinë e mirë në rajon. Këtë bindje e ndava me ministrin Gerapetritis, bashkë me ftesën që bisedën e radhës ta vazhdojmë në Kosovë”, ka shkruar Konjufca.
Ai ka falënderuar Greqinë për mbështetjen për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, duke thënë se ky veprim i ka dhënë vlerë bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Konjufca po merr pjesë në takimin ministror të Grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor, të organizuar në Athinë nga Ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, George Gerapetritis.

