Në prag të festave kombëtare të nëntorit, ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vizituar gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan, ku ka zhvilluar një bashkëbisedim me nxënësit për historinë dhe rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe shtetndërtimit.
Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Haradinaj bëri të ditur se gjatë takimit diskutuan për përpjekjet ndër breza, të cilat, sipas tij, u kurorëzuan falë sakrificës së djemve dhe vajzave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe mbështetjes së aleatëve ndërkombëtarë, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në krye.
Ai gjithashtu shprehu mirënjohje për drejtorin e shkollës, Hamid Qorraj, menaxhmentin dhe mësimdhënësit, për kontributin e tyre në edukimin dhe formimin e brezave të rinj.
Gjatë vizitës, Haradinaj pati mundësinë të shohë nga afër edhe ekspozitën dhe kabinetet e shkollës.

