Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan pritet të vizitojë Libinë muajin e ardhshëm, për herë të parë pas më shumë se 15 vjetësh, për të marrë pjesë në Samitin Turqi-Afrikë, i cili do të mbahet më 8 dhe 9 dhjetor në Tripoli.
Vizita u konfirmua nga ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, vetëm disa orë pasi ai dhe shefi i inteligjencës turke, Ibrahim Kalin, zhvilluan një takim në Stamboll me kryeministrin e Qeverisë së Unitetit Kombëtar të Libisë, Abdulhamid Dbeibah.
Në një intervistë televizive, Fidan i cilësoi bisedimet si “shumë produktive”, duke shtuar se Dbeibah kishte shprehur pritshmëri pozitive për vizitën e presidentit turk.
Erdogan e kishte vizituar për herë të fundit Libinë më 16 shtator 2011, kur ishte kryeministër i Turqisë, pas rrëzimit të regjimit të Muammar Gaddafit.
Gjatë asaj vizite ai kishte qëndruar në Tripoli dhe Bengazi, ku ishin nënshkruar disa marrëveshje bashkëpunimi.
Fidan theksoi se Turqia ka luajtur rol të rëndësishëm në mbështetjen e Libisë perëndimore dhe në parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit.
“Gjatë luftës në Libi, ne luftuam në njërën anë, por njëkohësisht krijuam një kornizë gjithëpërfshirëse diplomatike për të arritur paqen dhe për të parandaluar një luftë tjetër”, deklaroi ai.
Sipas ministrit turk, Ankaraja ka forcuar marrëdhëniet edhe me Libinë lindore, duke synuar të kontribuojë në bashkimin politik të vendit.
“Po i përdorim marrëdhëniet tona me të dyja palët për të bashkuar vendin”, shtoi Fidan.
Samiti Turqi-Afrikë pritet të përqendrohet në forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe politik ndërmjet Turqisë dhe vendeve afrikane, ndërsa në agjendë do të jenë edhe përpjekjet për stabilizimin e Libisë dhe organizimin e zgjedhjeve.
Takimi i fundit në Stamboll erdhi pas vizitës së Dbeibah në Egjipt, ku ai zhvilloi bisedime me presidentin Abdel Fattah al-Sisi për stabilitetin politik dhe zhvillimet rajonale. /Telegrafi/

