Udhëheqësit e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor do të takohen në Bruksel më 25 nëntor. Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa do ta përfaqësojë BE-në në samit së bashku me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Samiti do të nxjerrë në pah rëndësinë strategjike të marrëdhënieve midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
“E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian. Anëtarësimi i tyre është përparësia jonë, ambicia jonë e përbashkët dhe një investim i rëndësishëm gjeopolitik në këto kohë sfiduese”, tha Costa.
Samiti do të jetë një mundësi për BE-në që të riafirmojë angazhimin e saj ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE dhe të inkurajojë partnerët që të përshpejtojnë reformat dhe të përmbushin angazhimet e nevojshme për të avancuar në rrugën e tyre drejt BE-së.
Do të nënvizohet gjithashtu rëndësia e bashkëpunimit rajonal, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe pajtimit.
Udhëheqësit pritet të vlerësojnë progresin në integrimin gradual të Ballkanit Perëndimor me BE-në, veçanërisht përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe të diskutojnë se si ta çojnë atë më tej.
Ata gjithashtu do të shqyrtojnë se si të adresohen sfidat e përbashkëta dhe të forcohet siguria dhe qëndrueshmëria në një peizazh gjeopolitik gjithnjë e më kompleks.

