Artikuj të rrallë që u përkisnin pasagjerëve të Titanikut janë shitur në ankand për shuma rekord.
Artikujt më të shtrenjtë të shitur ishin një orë xhepi që i përkiste pasagjeres së klasit të tretë Mary Mangan, e cila u shit për rreth 298 mijë euro, dhe një unazë diamanti që mbante pasagjerja e famshme Lady Duff Gordon, e cila u shit për rreth 179 mijë euro.
Një tjetër artikull ishte një letër e detajuar, e njollosur, e gjetur në trupin e autorit të saj, pasagjerit të klasit të parë Ramon Artagaveitia Gomez, e cila u shit për rreth 95 mijë euro.
Ankandisti Andrew Aldridge, nga shtëpia e ankandeve “Henry Aldridge and Son” në Devizes, tha se “shitja epike” ishte dëshmi e interesimit të vazhdueshëm global për këtë histori tragjike.
Titaniku u nis në udhëtimin e tij të parë më 10 prill 1912 dhe u fundos në orët e para të 15 prillit, duke shkaktuar vdekjen e rreth 1,500 njerëzve.
Ora e artë u gjet në trupin e pasagjeres irlandeze 32-vjeçare Mangan dhe iu kthye familjes së saj së bashku me sendet e tjera personale.
Kohët e fundit, ajo ishte ekspozuar për disa javë, së bashku me pjesën tjetër të Koleksionit Mangan, në muzeun Titanic Belfast.
Mangan ishte shpërngulur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ishte kthyer në Irlandë në fillim të vitit 1912 për të vizituar familjen e saj.
Letra e rrallë, e shkruar në gjuhën spanjolle gjatë udhëtimit, në letër zyrtare të Titanikut, përshkruan anijen në detaje, duke filluar nga ngjyrat e saj e deri te temperatura dhe numri i pasagjerëve në restorant.
Ajo ishte një nga më shumë se 100 artikujt e lidhur me anijen e fundosur që u shitën në ankand.
Në mesin e tyre ishte edhe një dokument sigurimi, i cili u shit për rreth 32 mijë euro, si dhe një biletë e rrallë e Titanikut, që arriti çmimin prej rreth 54 mijë eurosh. /Telegrafi/

