Miley Cyrus ka ndarë me ndjekësit fotografitë e para nga dasma e saj me muzikantin Maxx Morando, vetëm disa orë pasi çifti kurorëzoi dashurinë në një ceremoni luksoze në Palm Springs të Kalifornisë.
Këngëtarja 33-vjeçare dhe Morando, 28 vjeç, u martuan të shtunën, më 21 nëntor. Në Instagram, Cyrus publikoi disa imazhe nga dita e veçantë, të cilat i shoqëroi me inicialet M + M, një zemër dhe datën e dasmës.
Në fotografitë e realizuara nga fotografi Jose Villa, çifti shfaqet duke pozuar së bashku me qenin e tyre, ndërsa një prej momenteve më romantike është shkëmbimi i puthjes para të ftuarve, gjatë ceremonies, shkruan DailyMail.
Nëna e këngëtares, Tish Cyrus, shihet duke duartrokitur teksa të sapomartuarit ecin drejt altarit.
Ceremonia u zhvillua në ambient të hapur, në një pronë që më parë ishte në pronësi të legjendës së muzikës Frank Sinatra.
Dasmën e drejtoi Wayne Coyne, frontmeni i grupit Flaming Lips, me të cilin Miley ka bashkëpunuar edhe më parë.
Mes të ftuarve ishin babai i këngëtares, Billy Ray Cyrus, i shoqëruar nga partnerja e tij Elizabeth Hurley, si dhe disa miq e bashkëpunëtorë të çiftit.
Miley dhe Maxx u njohën përmes një takimi të organizuar nga miqtë dhe u shfaqën për herë të parë së bashku në nëntor të vitit 2021, gjatë sfilatës Gucci Love Parade në Los Angeles.
Në një intervistë të mëparshme për British Vogue, këngëtarja kishte treguar se takimi ishte i verbër për të, por jo edhe për Morandon. /Telegrafi/

