Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se forcat ukrainase kanë kryer një sulm ndaj një anijeje luftarake ruse pranë brigjeve të Libisë, duke e fundosur atë me dronë detarë.
Në një postim në rrjetin social X të hënën, Zelensky tha se në operacion janë përdorur shtatë dronë detarë të prodhuar në Ukrainë, të cilët kanë fundosur një korvetë ruse. Sipas tij, bëhet fjalë për një nga anijet më të reja të flotës ruse, e cila ishte futur në shërbim në vitin 2023, gjatë pushtimit të Ukrainës.
“Ne vazhdojmë operacionet tona në zonat e përcaktuara. Po i përgjigjemi agresionit rus dhe po zhvillojmë armët ukrainase”, ka shkruar Zelensky.
Ai bëri të ditur se forcat ukrainase kanë goditur gjithashtu anijen ruse të transportit të mallrave MV Angara, për të cilën pretendoi se përdorej nga Moska për transportimin e armëve. Në këtë operacion, sipas tij, është shkatërruar edhe një helikopter ushtarak i tipit Ka-27, raporton AP.
Zelensky falënderoi Shërbimin e Sigurisë së Ukrainës (SBU) dhe forcat e tjera ukrainase të mbrojtjes që morën pjesë në operacion, të cilin e cilësoi si një përgjigje ndaj luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Ai tha se kishte marrë informacione të hollësishme për operacionin të dielën dhe të hënën, duke shtuar se objektivat e përcaktuara ishin arritur.
Ndërkohë, dy zyrtarë libianë kanë bërë të ditur se sulmi me dronë detarë ka shkaktuar dëme të rënda në korvetën ruse, e cila ndodhej në bazën detare të Bengazit, në lindje të Libisë.
Banorët e Bengazit kanë raportuar se në orët e para të së dielës kanë dëgjuar shpërthime të fuqishme dhe kanë parë zjarr në bazën detare. Sipas autoriteteve në Libinë lindore, ekipet e mbrojtjes civile kanë ndërhyrë dhe e kanë shuar zjarrin.
Sipas një deklarate të autoriteteve, anija kishte ndaluar në bazën detare për t’u furnizuar me karburant dhe pajisje, në kuadër të një marrëveshjeje bashkëpunimi me qeverinë në Libinë lindore.
Megjithatë, autoritetet libiane nuk kanë dhënë hollësi për identitetin e anijes apo ngarkesën që transportonte.

