Katër raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës gjatë periudhës 19-22 nëntor, në Podujevë, Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Prizren.
Sipas raportit të Policisë, rastet përfshijnë sulme fizike, kanosje dhe përleshje mes personave të së njëjtës familje.
Rasti i parë është raportuar më 19 nëntor, rreth orës 22:00, në Podujevë, ku një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një gruaje. Viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe më pas, me vullnetin e saj, ka shkuar në shtëpinë e familjarëve. I dyshuari është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.
Në Prishtinë, më 22 nëntor, rreth orës 09:50, një grua dhe një burrë dyshohet se janë përleshur fizikisht pas një mosmarrëveshjeje. Si pasojë, njëri prej tyre ka pësuar lëndime trupore dhe ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, të dy janë liruar dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt.
Ndërkaq, në Fushë Kosovë, më 22 nëntor, rreth orës 05:00, një shtetase e Shqipërisë ka raportuar se është sulmuar fizikisht dhe kërcënuar me thikë nga një burrë kosovar. I dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Një rast tjetër është raportuar në Prizren, më 22 nëntor, pas mesnatës, ku një burrë dyshohet se ka shkuar në shtëpinë e një personi dhe ka kanosur një grua. I dyshuari është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.
Ndërkohë, në raportin shtesë të Policisë për një rast të dhunës në familje në Prishtinë, të raportuar më 21 nëntor, bëhet e ditur se më 22 nëntor është arrestuar një burrë.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, Policia ka gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri dhe një karikator me 14 fishekë. Pas intervistimit, i dyshuari është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

