Jamal Musiala ka përjetuar vetëm dy episode neurologjike gjatë periudhës 12-javore të rikuperimit nga lëndimi muskulor, pavarësisht shqetësimeve në rritje për gjendjen e tij shëndetësore dhe kritikave publike të drejtuara ndaj tij nga drejtuesit e Bayern Munichut.
Sipas mediumit gjerman TZ, detajet e reja kanë ngritur pikëpyetje rreth mënyrës se si klubi bavarez po e trajton situatën e 23-vjeçarit, veçanërisht pas deklaratave kontroverse të ish-drejtuesit Karl-Heinz Rummenigge për gjendjen e tij shëndetësore dhe kontratën e majme.
Rummenigge kishte vënë në pikëpyetje arsyeshmërinë e kontratës së Musialës, duke marrë parasysh problemet e tij neurologjike.
“Më vjen keq, por me gjithë respektin, kjo kontratë nuk mund të justifikohet më”, kishte deklaruar ai, duke ngritur gjithashtu dyshime nëse ndonjë klub tjetër do të ishte i gatshëm ta transferonte reprezentuesin gjerman në rrethanat aktuale.
Këto komente erdhën pikërisht në ditën kur Musiala u rikthye në fushë, duke luajtur për 20 minuta pas lëndimit muskulor. Rummenigge gjithashtu kishte shprehur shqetësimin se çfarë do të ndodhte nëse mesfushori nuk do të arrinte të rikthehej në nivelin e tij më të mirë.
Sipas raportimit, episodi i fundit neurologjik i Musialës kishte ndodhur të hënën e kaluar, në të njëjtën ditë kur u mbajt mbledhja e bordit mbikëqyrës të Bayernit.
Ndërkohë, medikamentet që fillimisht ishin konsideruar të përshtatshme pas dy rrëzimeve të tij në fushë gjatë këtij sezoni, tashmë po rregullohen sërish, me mjekët që po përpiqen të gjejnë dozën e duhur.
Përfaqësuesit e futbollistit thuhet se janë në kontakt të vazhdueshëm me drejtuesit e Bayernit për këtë çështje, ndërsa bisedimet po zhvillohen në mënyrë diskrete dhe profesionale.
Në anën tjetër, drejtori sportiv Max Eberl doli publikisht në mbrojtje të Musialës, duke thënë: “Jamal është një qenie njerëzore”.
Edhe presidenti Herbert Hainer këmbënguli se klubi do t’i ofrojë futbollistit të gjithë mbështetjen dhe kohën e nevojshme për rikuperim, ndërsa drejtori ekzekutiv Jan-Christian Dreesen deklaroi se nuk ka nevojë që kontrata e tij të diskutohet më tej para fundit të vitit.
Në mbrojtje të Musialës doli edhe sindikata botërore e futbollistëve, FIFPRO, e cila kritikoi deklaratat publike të drejtuesve të Bayernit, duke theksuar se klubi ka detyrim të kujdeset për futbollistin.
Sindikata i cilësoi këto komente si një strategji për të ushtruar presion ndaj Musialës dhe përfaqësuesve të tij në prag të negociatave të mundshme për kontratën./Telegrafi/

