Të hapura nga të gjitha anët.
Këto sera në fshatin Ribar të Lipjanit vështirë se mund të shërbejnë më për kultivim.
E gjithë kjo, pasi erërat e forta të së enjtes ia dëmtuan serat fermerit Isuf Kelmendi më të madh në këtë zonë.
“Serat janë në gjendje të rëndë siç po e shihni edhe vetë mbas frymës së madhe që ka ndodhur. Edhe sa i përket dëmeve, kanë qenë gjithmonë të njëpasnjëshme për arsye se janë edhe të ndjeshme serat. Mirëpo, ndihmë s’kemi pasur asnjëherë dhe në mënyrë absolute asnjë njeri kurrë s’ka dalë, asnjë zyrtar i komunës, as edhe zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë nuk kanë dalë asnjëherë. Për fat të keq kurrë askush s’na ka vizituar, është hera e parë që dilni ju”, thotë ai.
Sipas tij, dëmet e përsëritura ia vështirësojnë edhe më shumë punën.
“Dëmet janë tepër të mëdhaja dhe këtu vazhdimisht ndodhin dëmet. Çdoherë, krejt punën që e bën për shembull gjatë verës, në kohë dimri ato shumica shkojnë kot për arsye se krejt duhet me investuar për atë që jo llastiku, jo konstrukti i serrës, shumë probleme”, thotë ky fermer.
Për Isufin, kjo punë nuk është sezonale.
Ai thotë se në sera punon gjatë gjithë vitit, me kultura të ndryshme.
“Qe 14 vite, 15, aty diku, mirë, vazhdimisht domethënë pa ndërprerë, verë e dimër punoj. Verës me domate, me tranguj, me speca, ndërsa kemi filluar edhe me pjeke në dimër, kryesisht me marulla, me sallatë të gjelbër. Mirëpo, qe atje kemi filluar për shembull me sallatë të gjelbër, me i mbjellë, tash me u prish, domethënë llastiku është e pamundur për me vazhduar më tutje. S’ka shpëtuar asgjë”, shprehet Kelmendi.
Dëme si këto kanë pësuar edhe fermer të tjerë në këtë zonë. Ndërkohë, të enjten në mbrëmje kishte dëme edhe nëpër qytete të ndryshe.

