Sot është mbajtur seanca e shqyrtimit fillestar ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe tre të akuzuarve të tjerë, Irfan Lipovicës, Hafiz Garës dhe Ridvan Muharremit lidhur me dyshimet për keqpërdorim me rezervat shtetërore.
Seanca është mbajtur e mbyllur për publikun.
E pas përfundimit të seancës është deklaruar ministrja në detyrë e Industrisë, Rozeta Hajdari, e cila theksoi se ndihet e pafajshme dhe se është një proces tendencioz ndaj saj nga Prokuroria Speciale.
“…Unë isha në Gjykatën Themelore lidhur me aktakuzën kundër meje nga Prokuroria Speciale e Kosovës lidhur me çështjen e rezervave shtetërore, përkundër që unë ndihem krejtësisht e pafajshme sepse është një proces tendencioz nga Prokuroria Speciale e Kosovës duke shkelur çdo procedurë ligjore dhe duke qenë në kundërshtim me Ligjin për rezervat shtetërore dhe Ligjin për mbrojtjen e informacionit të klasifikuara”, tha ajo.
Sipas saj, ajo çfarë është më e rëndësishme është se qytetarët e Kosovës nuk kanë nevojë të brengosen për konsolidimin e rezervës shtetërore.
“Por, me e rëndësishme është të theksoj se qytetarët e Kosovës nuk kanë nevojë të brengosen për konsolidimin e rezervës shtetërore të cilën e kemi rritur në qeverinë Kurti 2 për shumëfish në kohën më të vështirë, kur ishte rezerva shtetërore e pakonsoliduar dhe jo në funksion të përgjigjes ndaj qytetarëve dhe në kohën kur kufijtë ishin të mbyllur me shpërthimin e luftës në Ukrainë dhe në kohën kur nuk kishte eksport të produktet bazike në vendin tonë”, tha ajo.
“….është e rëndësishme të përmendi se për këtë proces tejet të rëndësishëm për qytetarët tanë, për sigurinë e popullit tonë megjithatë Prokuroria shkeli ligjin siç e kam theksuar edhe më herët përkundër që jemi në proces gjyqësor me operatorët ekonomikë që nuk kanë mbushur detyrimet e tyre dhe është proces i hapur gjyqësor me këtë operatorë”.
Ministrja Hajdari tha se ajo dhe mbrojtja ime jemi të bindur për këta veprime të paligjshme të Prokurorisë dhe do ta dëshmojnë.
Ndryshe, aktakuza është ngritur më 11 nëntor nga Prokuroria Speciale e Kosovës, e cila e akuzon ministren për keqpërdorim të rezervave shtetërore.
Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti ndaj katër personave nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare” dhe “Ndihma në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Të pandehurit Rozeta Hajdari, Irfan Lipovica dhe dhe Hafiz Gara akuzohen se gjatë muajve shkurt – mars 2022, kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim përfitimi pasuror për persona të tjerë, duke shkaktuar dëm ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës prej 2,912,134.78 euro.
Sipas aktakuzës, ata gjithashtu kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare të vendndodhjes së rezervave shtetërore, duke ia vënë këtë informacion në dispozicion të pandehurit Ridvan Muharremi.
Muharremi akuzohet për ndihmë në kryerjen e këtyre veprave penale, duke ndërmjetësuar, negociuar dhe rekomanduar përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë në emër të rezervave shtetërore.
Prokuroria thekson se ky proces është pjesë e hetimeve për veprime që kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme për buxhetin e shtetit dhe përbëjnë shkelje të ligjit për rezervat shtetërore të mallrave. /Telegrafi/