Forcimi i bashkëpunimit ushtarak mes Shqipërisë dhe Rumanisë po vijon përmes shkëmbimit të ekspertizës dhe rritjes së kapaciteteve profesionale të Forcës Ajrore Shqiptare.
Në kuadër të bashkëpunimit dypalësh, në Qendrën e Kontroll-Raportimit (QKR) u zhvillua një trajnim për njohjen, përdorimin dhe mirëmbajtjen e radarit TPS-77, ku morën pjesë specialistë shqiptarë dhe ekspertë rumunë nga Qendra e Mirëmbajtjes së Radarëve, transmeton IndeksOnline.
Gjatë këtij trajnimi, specialistët shqiptarë përfituan njohuri dhe aftësi praktike në mirëmbajtjen e sistemit radarik, diagnostikimin e problematikave teknike, si dhe në zbatimin e praktikave profesionale për funksionimin e tij.
Përveç aspektit teknik, trajnimi shërbeu edhe si një mundësi për shkëmbimin e përvojave dhe njohurive mes dy palëve, duke kontribuar në rritjen e gatishmërisë teknike dhe forcimin e kapaciteteve operacionale të Forcës Ajrore.

