Një operacion i rëndësishëm i doganës franceze është zhvilluar në orët e para të natës, mes 18 dhe 19 nëntorit, në pikën e pagesës së autostradës në Arles, ku autoritetet kanë zbuluar një sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike të fshehura në një kamion mallrash.
Ngjarja ndodhi pak pas mesnatës, kur doganierët ndaluan për kontroll një kamion që po udhëtonte nëpër këtë aks rrugor. Fillimisht, gjithçka dukej si një kontroll rutinë, por verifikimet në automjet zbuluan diçka krejt tjetër, raportojnë mediat franceze, transmeton IndeksOnline.
Në timonin e kamionit ndodhej një shtetas shqiptar, ndërsa automjeti kishte targa italiane. Sipas të dhënave paraprake, kamioni transportonte mallra për një rrjet të madh të tregtisë me pakicë.
Gjatë kontrollit, doganierët zbuluan se përveç produkteve ushqimore që supozohej të dërgoheshin në një qendër tregtare, në automjet fshihej edhe një ngarkesë me lëndë narkotike.
Droga ishte fshehur në mbajtësen e bobinave të kamionit, një hapësirë që ishte përdorur për të kamufluar ngarkesën e paligjshme.
Një sasi prej 114.6 kilogramësh kokainë është sekuestruar nga doganierët francezë gjatë një kontrolli në pikën e pagesës së autostradës në Arles.
Në pranga ka përfunduar shtetasi shqiptar, i cili po transportonte mallra për një rrjet të madh tregtar.
Pas arrestimit, shoferi iu dorëzua Zyrës Kundër Narkotikëve të Policisë Gjyqësore franceze (Ofast), në Marsejë, ndërsa më pas u dërgua në burg, ku do të qëndrojë në pritje të daljes përpara gjykatës.
Gjatë marrjes në pyetje, shtetasi shqiptar ka mohuar akuzat që rëndojnë ndaj tij. Ai ka deklaruar se nuk kishte dijeni për praninë e kokainës në kamion dhe pretendon se droga ishte vendosur në automjet pa dijeninë e tij.
Sipas deklarimeve të tij, ai nuk kishte asnjë informacion për ngarkesën e fshehur në mbajtësen e bobinave deri në momentin kur doganierët kryen kontrollin e automjetit.

