Organizata ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të futbollistëve, FIFPRO, ka reaguar ashpër ndaj drejtuesve të Bayern Munichut lidhur me deklaratat e tyre për kontratën e yllit gjerman, Jamal Musiala.
Në një deklaratë zyrtare, FIFPRO ka shprehur shqetësim për komentet e përsëritura publike të drejtuesve të klubit bavarez, të cilët kanë vënë në pikëpyetje kontratën e Musialas në një kohë kur futbollisti po vazhdon rikuperimin nga dëmtimi shkruan Indeks Online.
Sipas organizatës, deklaratat e presidentit të nderit, drejtorit aktual ekzekutiv dhe ish-drejtorit ekzekutiv të Bayern Munichut krijojnë përshtypjen e një strategjie të koordinuar për të ushtruar presion mbi futbollistin dhe përfaqësuesit e tij, përpara negociatave të mundshme.
FIFPRO ka theksuar se një klub me prestigjin e Bayern Munichut duhet të tregojë më shumë maturi dhe përgjegjësi, sidomos kur bëhet fjalë për një lojtar që po rikuperohet nga një dëmtim.
Në reagimin e saj, organizata rikujton se klubet kanë detyrim të kujdesen për futbollistët dhe se pasiguria për të ardhmen profesionale mund të ndikojë edhe në shëndetin mendor të tyre.
Gjithashtu, FIFPRO ka bërë të qartë se çdo shqetësim rreth kontratës së Musialas duhet të diskutohet privatisht me lojtarin dhe përfaqësuesit e tij, duke nënvizuar se kontratat duhet të respektohen nga të dyja palët.
“Një dëmtim apo një rënie në formë nuk i jep klubit asnjë të drejtë për të rishikuar kushtet e dakorduara më parë. Kontratat ekzistojnë për t’u respektuar”, thuhet në qëndrimin e organizatës.
Në fund, FIFPRO ka shprehur mbështetjen e plotë për Musialan dhe për të gjithë futbollistët që respektojnë obligimet e tyre kontraktuale, duke kërkuar që edhe klubet të veprojnë me të njëjtin standard.
Ky reagim vjen në një periudhë delikate për Musialan, i cili po synon rikthimin në fushë pas dëmtimit, ndërsa diskutimet publike rreth së ardhmes së tij te Bayern Munichu kanë shtuar vëmendjen mbi marrëdhënien mes futbollistit dhe klubit./IndeksOnline/

