KORREKT / SOT22 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Bota

Samiti për klimën zgjatet për dy ditë, shtetet ende nuk pajtohen për marrëveshjen

Samiti për klimën zgjatet për dy ditë, shtetet ende nuk pajtohen për marrëveshjen

Negociatat në samitin për klimën të OKB-së, COP31, në Antalia të Turqisë, kanë vazhduar edhe të dielën, për të dytën ditë jashtë afatit, pasi shtetet nuk kanë arritur marrëveshje për një tekst të përbashkët mbi veprimet klimatike.

Një draft i ri i marrëveshjes është publikuar në orët e para të së dielës, me të cilin bashkëorganizatorët, Turqia dhe Australia, synojnë të tejkalojnë dallimet mes vendeve dhe të arrijnë kompromis për çështjet e mbetura.

Megjithatë, teksti i ri nuk përmban referencë të drejtpërdrejtë për “kalimin nga lëndët djegëse fosile”, një çështje që kishte shkaktuar kundërshtime dhe kërcënime për largim nga negociatat në draftet paraprake, raporton BBC.

Drafti i ri përmend zotimin e arritur nga shtetet para tre vjetësh për të kaluar drejt largimit nga lëndët fosile, por nuk përcakton hapa konkretë për zbatimin e tij.

Për herë të parë, në tekst pranohet gjithashtu se bota është në rrugë për të mos e përmbushur objektivin e kufizimit të rritjes së temperaturës globale në 1.5 gradë Celsius, të përcaktuar në kuadër të Marrëveshjes së Parisit.

Presidenti i samitit, ministri turk i Mjedisit, Murat Kurum, është shprehur optimist për arritjen e një marrëveshjeje.

“Ne do të jemi të lumtur shumë shpejt”, tha ai për BBC-në, teksa po hynte në samit të dielën.

Megjithatë, optimizmi i tij nuk ndahet nga Bashkimi Evropian, i cili, sipas BBC-së, e konsideron tekstin e ri si një hap prapa në negociatat klimatike. BE-ja dhe shtetet e Paqësorit kishin kundërshtuar heqjen e referencave për lëndët fosile nga drafti i marrëveshjes.

Ndërkohë, vendet e Grupit të Afrikës pritet të mbeten të pakënaqura me draftin e fundit, pasi ai nuk përmban një shumë konkrete për financimin e përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike, por e shtyn këtë vendim për takimet e ardhshme.

Takimi i shteteve, i paraparë të mbahej në orën 09:00 sipas kohës lokale, është shtyrë përsëri, ndërsa negociatat po i afrohen kohëzgjatjes më të madhe në historinë e samiteve COP.

Nëse shtetet nuk arrijnë konsensus, siç kërkohet në procesin negociues të OKB-së, bisedimet mund të pezullohen deri në vitin e ardhshëm. Një situatë e tillë ka ndodhur vetëm një herë që nga fillimi i samiteve klimatike në vitin 1995.

Komisioneri i BE-së për Klimën, Wopke Hoekstra, ka paralajmëruar se nëse marrëveshja nuk përmban masat e nevojshme për veprim klimatik, blloku nuk do ta mbështesë atë.

“Nëse nuk mund të marrim atë që nevojitet në aspektin e veprimit klimatik… atëherë nuk ka marrëveshje”, ka deklaruar ai.

Në anën tjetër, sekretarja britanike e Energjisë, Miatta Fahnbulleh, e cila udhëheq negociatat për Mbretërinë e Bashkuar, është shprehur më optimiste, duke thënë se ekipi i saj po vazhdon punën për arritjen e një marrëveshjeje.

Drafti i publikuar më herët gjatë javës kërkonte përshpejtimin e largimit nga lëndët djegëse fosile, ndërsa versioni i dytë, i publikuar të enjten, kishte hequr të gjitha referencat për qymyrin, naftën dhe gazin, duke nxitur kërcënime për bojkot të negociatave.

Për shkak të mosmarrëveshjeve, samiti në Antalia ka tejkaluar afatin fillestar të përfundimit të premten. Të shtunën, delegacionet që kishin planifikuar të udhëtonin të dielën në mëngjes nisën t'i ndryshonin fluturimet, në shenjë se marrëveshja ende nuk ishte afër dhe se ekzistonte rreziku i humbjes së kuorumit të nevojshëm për miratimin e saj, nëse delegacionet largoheshin.

Në përpjekjen e fundit për të arritur kompromis, Bashkimi Evropian dhe Arabia Saudite, të cilat kanë qëndrime të kundërta për të ardhmen e lëndëve fosile, u ulën të shtunën në bisedime për të gjetur një zgjidhje.

Ministri turk i Mjedisit dhe presidenti i COP31, Murat Kurum, u ka thënë delegatëve se beson që versioni i tretë i tekstit adreson shqetësimet e palëve.

“Ju kërkojmë ta shqyrtoni këtë vendim me kujdes”, u tha Kurum delegatëve. “Jemi më afër se kurrë marrëveshjes për çështjet e mbetura”.

Lëndët fosile, vijë e kuqe për disa shtete

Panamaja, Ishujt Solomon, Bregu i Fildishtë dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar që në marrëveshjen përfundimtare të rikthehet zotimi për largimin nga lëndët djegëse fosile, pasi prodhuesit e këtyre burimeve, të udhëhequr nga Arabia Saudite, kishin kërkuar heqjen e tij.

Ministri i Mjedisit i Panamasë, Juan Carlos Navarro, ka thënë se nuk është e pranueshme që një marrëveshje klimatike të mos përmendë fare lëndët fosile.

Edhe ministri i Klimës i Tuvalut, Maina Talia, e ka cilësuar këtë çështje si vijë të kuqe për shtetin e tij, duke theksuar se lëndët fosile janë shkaku kryesor i krizës klimatike.

Ministrja franceze e Tranzicionit Ekologjik, Monique Barbut, ka kritikuar gjithashtu referencat në draftet paraprake për kapjen, përdorimin dhe ruajtjen e karbonit (CCUS), teknologji që kap emetimet dhe i ruan ato nën tokë. Sipas saj, kjo mund të shërbejë si justifikim për shtetet që të vazhdojnë përdorimin e naftës dhe gazit.

Në draftin e fundit, referencat për këtë teknologji janë zvogëluar, gjë që mund të ndihmojë në zbutjen e kundërshtimeve të BE-së.

Financimi për vendet në zhvillim mbetet i pazgjidhur

Një nga çështjet kryesore të ngritura nga vendet në zhvillim, financimi për përballimin e ndryshimeve klimatike, mbetet i pazgjidhur.

Versionet e mëhershme të draftit përfshinin zotimin për rritjen e financimit për përshtatjen klimatike në 120 miliardë dollarë deri në vitin 2035, por kjo shumë është hequr nga teksti i fundit.

Ministrja e Mjedisit e Ganës dhe kryetarja e Grupit Afrikan të negociatorëve, Zanetor Agyeman Rawlings, ka kritikuar mungesën e financimit, duke thënë se vendet afrikane nuk kanë ardhur në samit për të kërkuar lëmoshë, por për të kërkuar atë që u takon për popujt e tyre, të cilët po përballen me pasojat e aktiviteteve të vendeve të zhvilluara.

Ndërkohë, aktivistët dhe organizatat mjedisore, të cilët marrin pjesë si vëzhgues në negociata, kanë kritikuar ashpër procesin. Mohamed Adow nga organizata Powershift Africa e ka cilësuar këtë samit si më të keqin që është mbajtur ndonjëherë.

Nëse nuk arrihet konsensus, negociatat mund të pezullohen, duke lënë pa marrëveshje të re globale për klimën shtetet pjesëmarrëse në COP31.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.