Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me njësitë relevante të zbatimit të ligjit, ka parandaluar futjen e 150 fishekëve për gjueti, të cilët ishin të fshehur në bagazhin e një automjeti në pikën kufitare në Merdare.
Gjatë procedurave të kontrollit kufitar, zyrtarët doganorë kanë pyetur vozitësin dhe pasagjerët nëse kishin ndonjë mall për të deklaruar, me ç’rast ata janë përgjigjur negativisht.
Pas kësaj, është realizuar kontrolli rutinor në bashkëpunim me Njësinë e Antikontrabandës, Njësinë e Skanerit të Doganës së Kosovës, si dhe zyrtarët policorë.
Gjatë kontrollit, në pjesën e poshtme të valixhes së vozitësit janë zbuluar të kamufluara pesë pako me nga 10 fishekë për gjueti dhe dy pako me nga 50 fishekë, me gjithsej 150 fishekë për gjueti.
Lidhur me rastin, janë ndërmarrë veprimet përkatëse, ndërsa rasti është duke u trajtuar nga Policia e Kosovës.
Dogana e Kosovës deklaron se mbetet e përkushtuar në parandalimin e kontrabandës dhe në zbatimin e legjislacionit në fuqi, duke vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me institucionet e tjera të zbatimit të ligjit për garantimin e sigurisë dhe respektimin e procedurave ligjore në pikat kufitare

