Dogana e Kosovës ka parandaluar futjen e 150 fishekëve për gjueti të padeklaruar në territorin e Kosovës, të cilët janë zbuluar gjatë një kontrolli në pikën kufitare në Merdare.
Sipas njoftimit të Doganës, fishekët ishin fshehur në pjesën e poshtme të valixhes së vozitësit të një automjeti.
Gjatë procedurave të kontrollit kufitar, zyrtarët doganorë i kanë pyetur vozitësin dhe pasagjerët nëse kishin mallra për të deklaruar, por ata janë përgjigjur negativisht.
Pas kësaj, është realizuar kontrolli i detajuar në bashkëpunim me Njësinë e Antikontrabandës, Njësinë e Skanerit të Doganës dhe zyrtarët policorë.
Gjatë kontrollit janë gjetur pesë pako me nga 10 fishekë dhe dy pako me nga 50 fishekë, gjithsej 150 fishekë për gjueti, transmeton Klankosova.tv.
Lidhur me rastin janë ndërmarrë veprimet përkatëse, ndërsa hetimet dhe trajtimi i mëtejmë i tij janë në kompetencë të Policisë së Kosovës.
Dogana ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar në parandalimin e kontrabandës dhe zbatimin e legjislacionit në fuqi, në bashkëpunim me institucionet e tjera të sigurisë.

