Chelsea po kalon një periudhë të vështirë, ndërsa humbja e thellë 4-1 ndaj Leeds United ka shtuar edhe më shumë pakënaqësitë e tifozëve, të cilët kanë kritikuar ashpër disa prej futbollistëve të skuadrës.
Pas humbjes 1-0 nga Sunderland para pushimit për ndeshjet e kombëtareve, londinezët shpresonin të riktheheshin te rezultatet pozitive. Ata kaluan në epërsi në minutën e 25-të, kur Emmanuel Emegha realizoi golin e tij të parë me fanellën e klubit.
Megjithatë, epërsia zgjati vetëm pesë minuta, pasi Noah Okafor barazoi shifrat për Leedsin. Në pjesën e dytë, mysafirët shënuan edhe tri herë të tjera, me Okaforin që realizoi golin e dytë personal, Dominic Calvert-Lewin që shënoi nga penalltia dhe Brenden Aaronson që vulosi rezultatin 4-1 në kohën shtesë.
Kjo humbje e ka zbritur Chelsean në pozitën e tetë në tabelën e Ligës Premier, ndërsa skuadra ka regjistruar disfatën e pestë këtë sezon. Problemet në repartin defensiv vazhdojnë të jenë një prej shqetësimeve kryesore për trajnerin Xabi Alonso.
Pas kritikave të marra nga Wesley Fofana dhe Levi Colwill për paraqitjen ndaj Sunderlandit, dy mbrojtësit u vunë sërish në qendër të pakënaqësive të tifozëve pas disfatës ndaj Leedsit.
Në rrjetin social X, një tifoz shkroi: “Fofana duhet të përjashtohet nga skuadra”. Një tjetër komentoi: “Fofana duhet të caktohet në një punë zyre që në pushimin e pjesës së parë, sepse futbollist nuk është”.
Ndërkohë, një tifoz tjetër shkroi: “Fofana më bën të më mungojnë Tosin dhe Disasi”.
Mbrojtësi francez u kritikua veçanërisht për paraqitjen e tij, pasi gjatë 90 minutave arriti të fitojë vetëm një ndërhyrje në top.
Edhe Colwill nuk i shpëtoi kritikave, me disa tifozë që vunë në dyshim vazhdimin e partneritetit të tij me Fofanan në qendër të mbrojtjes.
“Nuk më intereson çfarë mendoni, por Colwill dhe Fofana nuk mund të jenë dyshja jonë e qendërmbrojtësve pas afatit kalimtar të janarit. Të dy duhet të shiten”, ishte një tjetër koment.
Një tjetër tifoz e përshkroi dyshen si “ndoshta partneritetin më të dobët të qendërmbrojtjes në historinë e klubit”.
Kështu, humbja ndaj Leedsit ka rikthyer në pah problemet defensive të Chelseat, ndërsa Fofana dhe Colwill janë bërë objekt i kritikave të shumta nga tifozët./Telegrafi/

