Një anije mallrash ruse, e cila po udhëtonte drejt enklavës ruse të Kaliningradit, është goditur nga një sulm me dronë në pjesën lindore të Gjirit të Finlandës, kanë njoftuar autoritetet ruse dhe finlandeze, raporton BBC
Anija “Sparta II” është përfshirë nga flakët pas goditjes të shtunën në mëngjes, ndërsa më pas ka lëvizur drejt ujërave territoriale të Finlandës. Forcat finlandeze të mbrojtjes kanë vlerësuar se Ukraina ka gjasa të jetë përgjegjëse për sulmin, por Kievi ende nuk ka reaguar lidhur me rastin.
Kryeministri finlandez, Petteri Orpo, ka deklaruar se lufta po shtrihet edhe në afërsi të drejtpërdrejtë të vendit të tij.
“Lufta po përhapet në afërsinë tonë të menjëhershme. Ukraina ka të drejtë të kundërpërgjigjet ndaj agresorit”, ka thënë Orpo.
Guvernatori i Kaliningradit, Alexei Besprozvannykh, ka deklaruar se, sipas informacioneve fillestare, në sulm janë përdorur dy dronë. Megjithatë, ai ka thënë se nuk ka kërcënim për furnizimin e territorit.
Anija “Sparta II” është në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara që nga viti 2022, ndërsa Ukraina e ka sanksionuar në fillim të këtij viti. Sipas autoriteteve amerikane dhe ukrainase, ajo operohet nga një kompani ruse, e cila në faqen e saj zyrtare thotë se është themeluar në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë më 2011 dhe që nga viti 2015 vepron në kompleksin e ndërtimit ushtarak.
Roja Bregdetare e Finlandës ka njoftuar se ishte alarmuar për sulmin rreth orës 08:50 sipas kohës lokale, ndërsa anija ishte lokalizuar rreth 50 kilometra në perëndim të ishullit Suursaari, në Gjirin e Finlandës.
Pas incidentit, autoritetet finlandeze vendosën kufizime të përkohshme në trafikun ajror dhe detar në zonën përreth.
Ministria finlandeze e Mbrojtjes bëri të ditur gjithashtu se një helikopter rus dyshohej se kishte shkelur hapësirën ajrore të vendit. Sipas ministrisë, kjo mund të ketë qenë e lidhur me operacionet e shpëtimit ose të përcjelljes së anijes.
Fillimisht, guvernatori i Kaliningradit njoftoi se një anije ruse e shpëtimit ishte afruar pranë “Sparta II” dhe se ekuipazhi kishte thënë se nuk kishte nevojë për evakuim. Ai shtoi se anëtarët e ekuipazhit po kryenin punët e nevojshme dhe synonin të vazhdonin udhëtimin.
Megjithatë, më vonë Roja Kufitare e Finlandës njoftoi se ekuipazhi ishte evakuuar në një tjetër anije ruse, e cila tashmë ishte nisur drejt Rusisë. Anija e shpëtimit kishte mbetur pranë anijes së goditur.
Autoritetet finlandeze thanë se nuk ishte konstatuar ndotje e mjedisit dhe se nuk kishte rrezik për trafikun detar apo për njerëzit në zonë.
Ministri finlandez i Mbrojtjes, Antti Häkkänen, bëri të ditur se hetimet për incidentin po udhëhiqen nga Roja Kufitare, në bashkëpunim me institucionet e tjera përkatëse. Ministria e Mbrojtjes konfirmoi se për rastin është njoftuar edhe NATO-ja.
Kaliningradi është një enklavë ruse e vendosur mes Polonisë dhe Lituanisë. Ndërkohë, Deti Baltik është shndërruar në një zonë të ndjeshme të luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, e cila nisi me pushtimin e plotë rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Së fundmi, Ukraina ka shtuar sulmet me rreze të gjatë veprimi ndaj objektivave në territorin rus, përtej vijës së frontit.

