Melania Trump ka zbuluar paralajmërimin që i ka dhënë djalit të saj 20-vjeçar, Barron Trump, lidhur me lidhjet romantike dhe takimet me persona të tjerë.
Në serialin e saj të ri dokumentar, “Melania: The Series”, i cili transmetohet në platformën Prime Video, 56-vjeçarja ka folur për mënyrën se si e këshillon të birin, të cilin e ka me presidentin amerikan Donald Trump.
“Gjithmonë i them se bota jashtë është e rrezikshme”, është shprehur Melania, duke shtuar se vazhdimisht e këshillon Barronin të jetë i kujdesshëm, raporton Page Six.
Pavarësisht paralajmërimeve, Melania ka theksuar se do të jetë gjithmonë pranë të birit, pavarësisht zgjedhjeve apo situatave me të cilat ai mund të përballet në jetë.
“Gjithmonë do të jem pranë tij. Kemi një komunikim shumë të hapur për jetën. Gjithmonë do të jem aty për të. Kam qenë dhe do të jem gjithmonë. Ai e di se është prioriteti im dhe se kështu do të mbetet gjithmonë”, ka deklaruar ajo.
Gjatë serialit, Zonja e Parë e SHBA-së ka bërë edhe shaka me mënyrën se si e sheh veten si nënë, duke u cilësuar si një “nënë shumë e lezetshme”, për të cilën thotë se ia kujton vazhdimisht edhe Barronit.
Jeta sentimentale e djalit të presidentit amerikan mbetet kryesisht larg vëmendjes së publikut. Ai aktualisht është në vitin e tretë të studimeve në Shkollën e Biznesit Stern, në Universitetin e Nju-Jorkut, dhe nuk ka folur asnjëherë publikisht për lidhjet e tij romantike.
Megjithatë, në vitin 2025, Page Six raportoi se Barron kishte organizuar një takim romantik në Trump Tower, në Nju-Jork, për të cilin ishte mbyllur një kat i tërë i ndërtesës. Sipas një burimi të cituar nga mediumi, vendimi për ta zhvilluar takimin në atë ambient ishte marrë vetëm për arsye sigurie.
Edhe pse pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar larg vëmendjes së mediave, djali më i vogël i Donald Trumpit është bërë dukshëm më i pranishëm në publik gjatë viteve të fundit.
Gjatë verës, ai u pa në një ndeshje të UFC-së të organizuar në Shtëpinë e Bardhë, ku tërhoqi vëmendje edhe me modelin e ri të flokëve. Ndërsa në shkurt të këtij viti, ai mori pjesë së bashku me pjesën tjetër të familjes, përfshirë gjysmëmotrat e tij, Ivanka dhe Tiffany Trump, në fjalimin e presidentit për gjendjen e kombit.
Në dokumentarin e saj të parë, “Melania”, i cili u shfaq premierë në janar, Zonja e Parë kishte zbuluar edhe disa detaje rreth personalitetit të të birit.
Ajo e përshkroi Barronin si një person “shumë të sigurt në vete”, duke theksuar se dëshiron që ai ta ndërtojë vetë rrugën e tij në jetë.
Në një prej skenave të filmit, teksa udhëton me presidentin Trump në një veturë, çifti diskuton për të birin. Me këtë rast, Melania e cilëson atë si një person me “mendje të jashtëzakonshme”.
“E dua”, shprehet ajo.
Filmi është realizuar nën regjinë e Brett Ratner dhe sjell pamje nga 20 ditët para inaugurimit të dytë të Donald Trumpit si president i SHBA-së, në janar të vitit 2025.
Melania dhe Donald Trump u martuan në janar të vitit 2005 dhe së bashku kanë një djalë, Barronin. /Telegrafi/

