Ministri nq detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka pritur sot në takim Komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, Admiralin George M. Wikoff, si dhe Komandantin e misionit të KFOR-it, Gjeneralmajor Ozkan Ulutaş.
Maqedonci bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua për situatën e sigurisë në Kosovë dhe në rajon, zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) si dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me KFOR-in.
Ai theksoi përkushtimin institucional për forcimin e kapaciteteve të FSK-së, përmes edukimit dhe trajnimit të oficerëve sipas doktrinës së shteteve perëndimore.
Po ashtu, ai nënvizoi rëndësinë e modernizimit të FSK-së me sisteme të armatimit të prokuruara nga shtetet anëtare të NATO-s, në funksion të rritjes së sigurisë për qytetarët dhe avancimit të aspiratës së Kosovës për anëtarësim në Aleancën Veri-Atlantike.
“Diskutuam për situatën e sigurisë në vend dhe rajon, zhvillimin e FSK-së dhe bashkëpunimin me KFOR-in. Theksova angazhimin për forcimin e kapaciteteve të FSK-së përmes edukimit të oficerëve sipas doktrinës së shteteve perëndimore si dhe modernizimit me sisteme të armatimit të prokuruara nga shtetet anëtare të NATO-s, në funksion të sigurisë së qytetarëve dhe aspiratës për anëtarësim në NATO”, ka shkruar Maqedonci. /Telegrafi/