KORREKT / SOT21 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Kosova mbetet e pandryshuar në politikën serbe, pavarësisht emrave të rinj

Kosova mbetet e pandryshuar në politikën serbe, pavarësisht emrave të rinj

Ndryshimi i pushtetit në Serbi ka sjellë emra të rinj në krye të institucioneve, por në kastën e re politike nuk ka asnjë risi në qëndrimet ndaj Kosovës.

Këtë e dëshmon programi politik i Listës Studentore, e cila, ndonëse paraqitet si alternativë ndaj regjimit të Aleksandër Vuçiqit, në raport me Kosovën duket se trashëgon të njëjtën platformë politike.

Në programin e publikuar ditë më parë, studentët zotohen se do të luftojnë për ruajtjen e Kosovës si pjesë të Serbisë, duke u thirrur në Kushtetutën serbe dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Madje, edhe këta kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës dhe paralajmërojnë se nuk do të lejojnë anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare.

Por qëndrimet e tyre shkojnë edhe më tej.

Lista kërkon ndjekjen penale të përfaqësuesve serbë që kanë arritur marrëveshje me Kosovën, të cilat, sipas saj, janë në kundërshtim me Kushtetutën e Serbisë.

Në këtë drejtim, njohësit e çështjeve politike në vend vlerësojnë se shfaqja e alternativave të reja politike nuk duhet të krijojë pritje për një kthesë në këtë drejtim. Sipas tyre, problemi nuk qëndron vetëm te politika e një udhëheqësi, por te orientimi i vetë shtetit serb, i cili vazhdon të mbajë qëndrime kundërshtuese ndaj Kosovës dhe të mos shkëputet nga ndikimi rus.

"Nuk duhet të presë askush, as njerëzit e politikës sonë dhe as diplomacia evropiane, që Serbia të ndryshojë. Çfarëdo elite që vjen atje, në relacion me Kosovën, Ballkanin dhe Evropën, ata, në esencë, kanë qëndrime negative dhe jodemokratike, ndërkohë që nuk tërhiqen nga Rusia dhe orbita rusomadhe.", tha Mazllum Baraliu, njohës i çështjeve politike.

Pretendimi për përfaqësimin e një alternative të re politike në Serbi nuk e pengoi Listën Studentore të përplasej me Aleksandër Vuçiqin pikërisht për çështjen e Kosovës. Gjatë seancës së së enjtes në Kuvendin serb, deputeti i kësaj liste, Feda Dimoviq, akuzoi Vuçiqin se kishte lejuar autoritetet kosovare t'i shuanin strukturat paralele serbe në Kosovë.

Për njohësit e sigurisë, kjo përplasje është tregues se ndryshimi i emrave në skenën politike serbe nuk nënkupton domosdoshmërisht ndryshim të objektivave ndaj Kosovës.

"Ata synojnë të kenë qasjen e njëjtë. Madje, tentojnë t'i rikthejnë strukturat ilegale serbe, duke pasur parasysh përplasjen dhe qasjen e djeshme, për shkak se akuzuan pushtetin e Vuçiqit për lejimin e zhdukjes së strukturave ilegale serbe. Andaj, kjo duhet të shihet me një sy shumë vigjilent, sepse mund të sjellë pasoja të ndryshme. Madje, çështjen e Asociacionit duhet ta vazhdojnë vetëm me metoda të fuqishme", thekson Gurakuq Kuçi nga Instituti “Octopus”,

Në këtë kontekst, njohësit e çështjeve politike theksojnë se, pavarësisht emrave të rinj dhe pretendimeve për ndryshim politik në Serbi, qëndrimet e Listës Studentore dëshmojnë se Kosova vazhdon të mbetet pjesë e së njëjtës platformë politike kundërshtuese./rtk

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.