Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se projekti i Banimit të Përballueshëm dhe Social po zbatohet në disa komuna të vendit, me punime që kanë avancuar në faza të ndryshme.
Përmes një njoftimi në Facebook, Kurti ka bërë të ditur se në Pejë ndërtimi i banesave është drejt përfundimit, ndërsa aktivitetet ndërtimore po zhvillohen edhe në Istog, Podujevë dhe Gjilan, transmeton lajmi.net.
Ai ka njoftuar se në Kamenicë është hapur procedura e prokurimit për lidhjen e kontratës, kurse në Shtime dhe Obiliq po punohet në hartimin e projekteve.
Kreu i Qeverisë ka thënë se këto investime synojnë të krijojnë mundësi më të mira banimi për familjet, çiftet e reja dhe qytetarët që kanë nevojë për mbështetje.
Ndërkohë, ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se në Pejë janë duke u ndërtuar 135 njësi banesore, të cilat tashmë kanë hyrë në fazën përfundimtare.
Pacolli ka njoftuar gjithashtu se për vitin 2027 janë paraparë 23.5 milionë euro për zbatimin e projekteve të Banimit të Përballueshëm dhe Social dhe për banimin social adekuat./lajmi.net/

