Në kuadër të takimeve të Ministrisë së Arsimit për Strategjinë 2035+, u zhvilluan edhe disa me prindërit nëpër komuna të ndryshme të Kosovës. Nga këto takime prindërit listuan mbi 40 rekomandime të cilat sipas tyre do të ndihmojnë në rregullimin e situatës aktuale nëpër shkollat e Kosovës, e që ndër to prioritet iu dha sigurisë nëpër institucione arsimore.
Infrastruktura e dobët në shkolla dhe siguria brenda institucioneve arsimore, janë kërkesat kryesore që prindërit kanë për Ministrinë e Arsimit.
Në kuadër të Strategjisë 2035+ të këtij institucioni, prindërit e Kosovës listuan mbi 40 rekomandime, që sipas tyre do të përmirësojnë sistemin e arsimit në vend.
Sipas kryetarit të Këshillit të Prindërve të Kosovës, Besnik Dragusha, për shtetin duhet të jetë prioritet edhe mësimi tërëditor.
“Shkollat të cilat aktualisht kanë mungesë të madhe të infrastrukturës, të bëhen investime në mënyrë më të shpejtë, ose të merren si prioritet për të pasur kushtet e punës, pastaj pothuajse të gjithë prindërit janë të mendimit që të implementohet mësimi tërëditor”, ka thënë Besnik Dragusha, Kryetar i Këshillit të Prindërve të Kosovës.
Tek grupi punues për strategji i Ministrisë, Këshilli i Prindërve kërkoi që disa lëndë të ciklit 1-5, të largohen nga kurrikula shkollore.
“Prindërit kanë thënë se disa lënë janë të tepërta për moshën e tyre, dhe ka dy tri lëndë me emra të ndryshëm e të cilat flasin për jetën dhe mbrojtjen e mjedisit, me qenë vetëm një. Fokusi më i madh është kërku ti jepet matematikës”, ka thënë Dragusha.
Njohësit e Arsimit, konsiderojnë se kërkesat e prindërve janë të duhura, sidomos ato që u bënë për aspektin e sigurisë në shkolla.
“Pjesa e mësimit tërëditor, prindërit kërkojnë që kjo të shtrihet në tërë vendin, kjo edhe nga ana e prindërve përbën lehtësim, duke ua larguar atyre detyrat e shtëpisë, që janë barrë shtesë në ditën e secilit prej prindërve, aspektet infrastrukturore, siguria në shkolla, duke parë rastet e ndryshme që ndodhin të konflikteve mes nxënësve, mirëpo edhe atë atyre që e frekuentojnë shkollat nga jashtë”, ka thënë Samir Shahini, Ish-drejtor i Arsimit në Prishtinë.
Ministria e Arsimit në kuadër të Strategjisë 2035+, ka zhvilluar takime konsultative edhe me studentë me qëllim përfshirjen e pikëpamjeve, përvojave dhe rekomandimeve të tyre në përcaktimin e prioriteteve për zhvillimin e arsimit në Kosovë.

