KORREKT / SOT21 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Sport

Shabazz i papërmbajtshëm me 32 pikë, Ylli merr fitore të rëndësishme ndaj Prishtinës

Shabazz i papërmbajtshëm me 32 pikë, Ylli merr fitore të rëndësishme ndaj Prishtinës

Golden Eagle Ylli ka regjistruar një fitore të rëndësishme ndaj Prishtinës, duke triumfuar me rezultat 92-79 në përballjen e vlefshme për xhiron e dhjetë të Superligës së Kosovës në basketboll.

Skuadra nga Suhareka e nisi ndeshjen në mënyrë fantastike, duke marrë kontrollin që në çerekun e parë, të cilin e fitoi me shifrat 27-14. Ylli vazhdoi me ritëm të lartë edhe në dhjetëminutëshin e dytë, duke triumfuar 25-18 dhe duke shkuar në pushim me epërsi prej 20 pikësh (52-32).

Megjithatë, Prishtina u rikthye fuqishëm pas pushimit. Mysafirët fituan bindshëm çerekun e tretë me rezultat 22-10, duke e ngushtuar diferencën në vetëm tetë pikë (62-54) para dhjetëminutëshit vendimtar.

Prishtina vazhdoi të ushtronte presion edhe në çerekun e fundit, duke u afruar deri në pesë pikë, por Ylli reagoi në momentet vendimtare dhe nuk lejoi përmbysjen. Vendasit fituan çerekun e fundit 30-25, për ta siguruar triumfin me rezultat përfundimtar 92-79.

Lojtari më i dalluar i ndeshjes ishte Khalil Shabazz, i cili shkëlqeu me 32 pikë dhe nëntë asistime, duke qenë vendimtar për fitoren e skuadrës së tij. Kontribut të rëndësishëm dhanë edhe Connor Withers me 19 pikë, Davontrey Thomas me 13 dhe Lis Shoshi me 10 pikë.

Te Prishtina, përpjekjet e Bryson Dawkins, që realizoi 23 pikë, dhe Vincent Gholstonit me 22 pikë, nuk mjaftuan për të shmangur humbjen.

Pas dhjetë xhirove të zhvilluara, Golden Eagle Ylli renditet në vendin e katërt me gjashtë fitore dhe katër humbje, ndërsa Prishtina zë pozitën e pestë me katër fitore e gjashtë humbje.

Në xhiron e ardhshme, Ylli do të udhëtojë për t’u përballur me Pejën, kurse Prishtina do të jetë nikoqire e Rahovecit./Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.