KORREKT / SOT21 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Tre policë në pranga për 3 ditë/ Çka thotë IPK-ja për arrestimet e kësaj jave?

Tre policë në pranga për 3 ditë/ Çka thotë IPK-ja për arrestimet e kësaj jave?

Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar brenda tri ditësh tre zyrtarë policorë, të cilët dyshohen për vepra të ndryshme penale, përfshirë organizimin e bixhozit të paligjshëm, keqtrajtimin gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, lëndimin e lehtë trupor dhe kanosjen.

Dy zyrtarët e parë janë arrestuar më 18 nëntor, njëri nga Stacioni Policor në Ferizaj dhe tjetri nga Stacioni Policor në Kaçanik, ndërsa zyrtari i tretë është arrestuar më 20 nëntor, nga Stacioni Policor në Kllokot, në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, raporton IndeksOnline.

Në rastin e parë, zyrtari policor nga Ferizaj dyshohet për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme që lidhen me organizimin e skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm, mbajtjen, kontrollin ose posedimin e paautorizuar të armëve, si dhe përdorimin e armës apo mjetit të rrezikshëm.

Sipas dyshimeve fillestare të IPK-së, zyrtari policor, jashtë detyrës zyrtare, gjatë vitit 2026 ishte përfshirë në organizimin e bixhozit të paligjshëm në formë online. Po ashtu, dyshohet se kishte mbajtur në posedim një armë të gjatë të tipit Kallashnikov, të cilën më pas ia kishte shitur një personi tjetër.

Në kuadër të hetimeve, hetuesit e IPK-së kanë bastisur shtatë lokacione, ku janë sekuestruar dy armë të shkurtra, një armë e gjatë e gjuetisë, dy armë të ftohta, përkatësisht thika, si dhe municion i llojeve të ndryshme.

Për këtë rast janë intervistuar edhe gjashtë qytetarë në cilësinë e të dyshuarve për veprën penale “Shitblerja e armëve”, ndaj të cilëve hetimet do të vazhdojnë në procedurë të rregullt. Zyrtarit policor të arrestuar i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tij.

Rasti i dytë lidhet me një zyrtar policor të Stacionit Policor në Kaçanik, i cili dyshohet për “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.

Incidenti raportohet të ketë ndodhur më 17 nëntor, pas orës 15:00, në fshatin Kaçanik i Vjetër, ku një patrullë policore me katër zyrtarë kishte arrestuar dhe prangosur një qytetar brenda oborrit të shkollës së fshatit.

Sipas gjetjeve fillestare të hetimit, njëri nga zyrtarët dyshohet se kishte tejkaluar autorizimet ligjore, duke përdorur forcën ndaj qytetarit edhe pasi e kishte prangosur, si pasojë e së cilës ai kishte pësuar lëndime trupore.

Qytetari ishte dërguar në stacion policor, por sipas IPK-së, zyrtarët nuk e kishin njoftuar prokurorin kujdestar të Prokurorisë Themelore në Ferizaj për veprimet e ndërmarra, ndonëse kishin pretenduar se qytetari kishte kryer vepër penale.

Më pas, qytetari ishte liruar, ndërsa ndaj tij ishte shqiptuar tiketë për kundërvajtje, për prishje të rendit dhe qetësisë publike, përkatësisht për sulm verbal.

Zyrtari policor është arrestuar dhe i është caktuar ndalimi prej 48 orësh. IPK ka rekomanduar suspendimin e tij, si dhe të tre zyrtarëve të tjerë policorë të përfshirë në këtë rast.

Ndërkaq, arrestimi i tretë është bërë më 20 nëntor, kur hetuesit e IPK-së kanë arrestuar një zyrtar policor të Stacionit Policor në Kllokot, në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, nën dyshimin për lëndim të lehtë trupor dhe kanosje.

Incidenti raportohet të ketë ndodhur në orët e paradites të së premtes, në fshatin Podgorcë të Komunës së Vitisë.

Sipas informacioneve të grumbulluara nga hetuesit, zyrtari policor dyshohet se e ka kanosur dhe sulmuar një qytetar me mjet të fortë, si pasojë e së cilës viktima ka pësuar lëndime të lehta trupore.

Me vendim të prokurorit kompetent, edhe këtij zyrtari i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tij, në interes të zhvillimit të procedurës hetimore.

Në të tri rastet, IPK-ja ka bërë të ditur se veprimet hetimore janë ndërmarrë në kuadër të autorizimeve ligjore dhe në koordinim me prokuroritë kompetente, ndërsa hetimet do të vazhdojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e rasteve./IndeksOnline/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.