Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ndaluar katër persona pas bastisjeve në disa lokacione, në kuadër të një aksioni kundër narkotikëve, ku janë sekuestruar mbi 15 kilogramë substanca të dyshuara narkotike, armë zjarri dhe mbi 9 mijë euro.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, aksioni është realizuar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, pas zbatimit të masave të veçanta hetimore.
Gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar 15 kilogramë e 443 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, 1.7 gramë kokainë dhe katër qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit hashash (çokollatë).
Po ashtu, gjatë bastisjeve janë sekuestruar dy vetura, dy armë zjarri, 62 fishekë të kalibrave të ndryshëm, katër telefona dhe para të gatshme në shumën prej mbi 9 mijë eurosh.
Të dyshuarit janë ndaluar për vepra të ndryshme penale, përfshirë blerjen, posedimin, shpërndarjen dhe shitjen e paautorizuar të narkotikëve, mbajtjen e paautorizuar të armëve, si dhe dhënien e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale.
Prokurori i Shtetit ka parashtruar kërkesë në gjykatë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, me qëllim të sigurimit të pranisë së tyre gjatë procedurës penale.

