Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, do të vizitojë Varshavën të shtunën, pas incidentit me dy raketa ruse dhe një dron që shkelën hapësirën ajrore të Polonisë.
Vizitën e konfirmoi kryeministri polak, Donald Tusk, i cili kërkoi nga Aleanca forcimin e menjëhershëm të mbrojtjes ajrore në krahun lindor të NATO-s.
Tusk bëri të ditur se kishte zhvilluar një bisedë me Rutte pas incidentit të ndodhur të premten në mëngjes, në kohën kur Rusia po kryente një tjetër valë sulmesh ndaj Ukrainës.
“Po diskutojmë se si do të përgjigjemi”, deklaroi Tusk, duke konfirmuar se Rutte do të jetë në Varshavë të shtunën dhe do t'u përgjigjet pyetjeve të mediave lidhur me reagimin e NATO-s.
Kryeministri polak u shpreh se pret që Aleanca të marrë vendime konkrete për forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes ajrore.
“Gjithmonë përpiqem të mos krijoj panik dhe të jem një partner serioz për ata me të cilët flas, por këtë herë do të pres vërtet, jo brenda orëve, por gjatë ditëve dhe javëve në vijim, vendime praktike për forcimin e aftësive tona të mbrojtjes ajrore”, tha ai.
Vizita e Rutte pritet të përqendrohet në sigurinë e krahut lindor të NATO-s dhe masat që Aleanca do të ndërmarrë pas shkeljes së hapësirës ajrore polake.

