Aktorja e njohur turke, Devrim Özkan, është përfshirë së fundmi në një valë diskutimesh në rrjetet sociale, pas disa pretendimeve që kanë qarkulluar lidhur me një takim të saj të supozuar me një sheik arab.
Sipas raportimeve që u përhapën në internet, aktorja e serialit turk “Yeraltı” dyshohej se kishte pranuar një shumë prej 2.5 milionë dollarësh për të kaluar një orë në një darkë me sheikun.
Megjithatë, këto pretendime janë mohuar kategorikisht nga agjencia që menaxhon aktoren, e cila ka sqaruar edhe arsyen e vërtetë të qëndrimit të saj në Dubai.
“Aktorja jonë, Devrim Özkan, ndodhet në Dubai për një realizim fotografik për kopertinë, në kuadër të një bashkëpunimi me një markë globale. Ne i mohojmë dhe i dënojmë kategorikisht lajmet e pavërteta dhe të pabaza që po qarkullojnë në media dhe rrjetet sociale”, thuhet në reagimin zyrtar.
Por, përveç agjencisë, edhe vetë aktorja ka vendosur të reagojë, duke zgjedhur një mënyrë ironike për t’iu përgjigjur zërave që po qarkullojnë.
“Atëherë, më lejoni të shtoj diçka. Mendoj se duhet të vazhdoni të publikoni lajme të tilla, në mënyrë që unë të mund ta mbledh shumën që përmendët nga ju dhe të shlyej borxhet në klinikat veterinare të personave që kujdesen për kafshët”, ka shkruar Özkan.
Me këtë reagim, aktorja ka hedhur poshtë pretendimet, duke e kthyer situatën në një përgjigje me humor ndaj lajmeve që kanë bërë bujë në rrjet.

