Një varëse e vogël mund të tregojë shumë më tepër sesa shijen për stolitë. Rikthimi i medaljoneve të arta, veçanërisht atyre të zbukuruara me diamante, po bashkon historinë, kujtimet dhe elegancën bashkëkohore
Dikur ruheshin me kujdes në kutitë e stolive, dhuroheshin në raste të veçanta dhe përcilleshin nga një brez te tjetri. Sot, varëset me medaljone ari dhe stolitë e frymëzuara nga monedhat historike po marrin një vend të ri në botën e modës.
Ato nuk janë më të lidhura vetëm me veshjet tradicionale apo ceremonitë familjare. Një medaljon i artë mund të kombinohet me këmishë të bardhë, xhaketë elegante, fustan të thjeshtë apo veshje të përditshme.
Interesante është se ky rikthim nuk po ndodh vetëm në rajonin tonë. Revista Glamour e ka veçuar varësen me monedhë ari ndër tendencat e vitit 2026, ndërsa Harpers’s Bazaar e ka trajtuar medaljonin si një stoli që bashkon bukurinë me domethënien personale.
Kur një stoli ka edhe histori
Për shumë breza, stolitë e arit kanë pasur një rëndësi që shkon përtej zbukurimit. Varëset me monedha ari janë ruajtur si pasuri familjare, janë dhuruar në raste të rëndësishme dhe shpesh kanë mbartur kujtime të veçanta.
Sot, krahas stolive tradicionale, vëmendje po marrin edhe medaljonet me motive historike dhe kulturore, si monedhat me figurën e Hyjneshës, portretet e figurave historike, stemat dhe simbole të tjera identitare, të cilat ndërthurin trashëgiminë me elegancën bashkëkohore.
Ky trend po gjen vend edhe te shumë fytyra të njohura të skenës dhe jetës publike në Kosovë, të cilat po i përfshijnë medaljonet e arta në kombinimet e tyre moderne. Një stoli e tillë, e vendosur në një zinxhir të hollë, mund të bëhet detaji më i veçantë i gjithë veshjes.
Si kombinohen medaljonet e arta me veshjet moderne?
Një nga përparësitë e këtyre stolive është mundësia për t’i përshtatur me stile të ndryshme.
Me një xhaketë të kuqe dhe bluzë të zezë, medaljoni i artë krijon kontrast të këndshëm dhe tërheq vëmendjen pa pasur nevojë për shumë aksesorë të tjerë.
Një bukuri të veçantë kanë edhe stolitë e arit me diamante, të cilat u japin medaljoneve tradicionale një pamje më të rafinuar dhe bashkëkohore. Diamantet nuk dalin kurrë nga moda dhe mbeten simbol i elegancës së përjetshme, të përshtatshme për çdo moshë. Të kombinuara me arin, ato krijojnë një harmoni mes klasikes dhe modernes.
Veçanërisht tërheqëse janë medaljonet e frymëzuara nga monedhat, të rrethuara me diamante ose gurë të tjerë dekorativë. Shkëlqimi i tyre e bën varësen të dukshme, por pa ia humbur elegancën dhe karakterin klasik.
Në kombinimet e përditshme, një varëse me medaljon ari mund të vendoset mbi një bluzë të thjeshtë, ndërsa për raste më elegante mund të shoqërohet me unaza delikate ose vathë minimalistë.
Për ato që parapëlqejnë kombinime më të guximshme, medaljoni mund të vendoset edhe krahas zinxhirëve me gjatësi të ndryshme, duke krijuar një pamje më bashkëkohore.
Më shumë sesa një tendencë kalimtare
Ndryshe nga aksesorët që blihen vetëm për një sezon, medaljonet e arta dhe stolitë me kuptim personal kanë një veçori: mund të mbeten të rëndësishme për vite.
Pikërisht kjo ndërthurje e modës me kujtimet, historinë dhe identitetin po i bën sërish tërheqëse.
Ndoshta bukuria më e madhe e këtij trendi qëndron te fakti se një stoli e vjetër nuk ka nevojë të ndryshojë për t’u dukur moderne. Nganjëherë mjafton vetëm mënyra se si e mbajmë. /Telegrafi/

