Bashko synon t’i afrojë bizneset, të krijojë lidhje të besueshme dhe të hapë rrugë për bashkëpunime të reja. Platforma pritet të lansohet në fillim të vitit 2027.
Imagjinoni një biznes në Zvicër që kërkon një partner në Kosovë, një kompani në Gjermani që ka nevojë për programues në Shqipëri, apo një sipërmarrës shqiptar që dëshiron të zgjerojë aktivitetin e tij përtej kufijve.
Mundësitë ekzistojnë, por shpesh mungon lidhja mes tyre.
Pikërisht këtu hyn Bashko, një platformë e re digjitale që synon të lidhë sipërmarrësit shqiptarë, pavarësisht se ku jetojnë dhe veprojnë.
Bizneset shqiptare janë të pranishme në shumë vende të botës. Ato ofrojnë shërbime, produkte dhe ekspertizë në fusha të ndryshme, por shpesh nuk e njohin njëra-tjetrën.
Bashko synon ta ndryshojë këtë. Përmes platformës, sipërmarrësit mund të prezantojnë bizneset e tyre, të tregojnë çfarë ofrojnë dhe çfarë kërkojnë, si dhe të gjejnë partnerë të mundshëm për bashkëpunim.
Për shembull, një kompani në Zvicër që kërkon shërbime kontabiliteti në gjuhën gjermane mund të lidhet me një zyrë kontabiliteti në Prishtinë që ofron pikërisht këtë shërbim.
Një nga veçoritë kryesore të Bashko është verifikimi i bizneseve.
Kompanitë kontrollohen përmes regjistrave zyrtarë të vendeve ku operojnë, si ARBK në Kosovë, QKB në Shqipëri dhe Zefix në Zvicër.
Bizneset që konfirmohen në këta regjistra marrin shenjën e verifikimit në profilin e tyre.
Kjo u mundëson përdoruesve të dinë se biznesi me të cilin po komunikojnë është i regjistruar zyrtarisht, duke krijuar më shumë transparencë dhe besim në kontaktet e reja.
Përdoruesit do të mund të zbulojnë edhe takime dhe aktivitete për sipërmarrës, në qytetet ku jetojnë ose online.
Kështu, një kontakt i krijuar në platformë mund të shndërrohet në një takim, një marrëveshje apo një bashkëpunim afatgjatë.
Një ide me rrënjë shqiptare dhe vizion ndërkombëtar
Pas platformës qëndron bashko.appAG, kompani zvicerane me seli në Zug, e themeluar nga sipërmarrësi Faton Shkodra.
Së bashku me një ekip prej 15 profesionistësh në Kosovë dhe Zvicër, themeluesi i saj po punon për të ndërtuar një platformë që synon ta afrojë botën shqiptare të biznesit dhe t’i japë bashkëpunimit një dimension të ri.
Platforma pritet të hapet në fillim të vitit 2027 dhe do të jetë e disponueshme në web, iPhone dhe Android.
Më shumë informacione: www.bashko.app

