Familja e Dejan Shoshkiqit, i cili përflitet se mund të jetë në krye të qeverisë së re serbe të dalë nga Lista Studentore, rrjedh nga Gucia. I ati i tij ka qenë kryetar i Republikës së Malit të Zi dhe deri më 1943 ishte i internuar në kampet e fashistëve italianë në Shqipëri. Shoshkiqi nuk është politikani i vetëm i Listës Studentore me rrënjë në Mal të Zi.
Si kandidat për kryeministër të Serbisë, gjithnjë e më shpesh në qarqet politike dhe mediatike të Beogradit po përmendet Dejan Shoshkiq (ndonëse ende asgjë nuk është e sigurt; mund të dalin në sipërfaqe edhe kandidatë të tjerë, varësisht se si vendosin të ashtuquajturat „plenume të studentëve“, të cilat funksionojnë si një „parlament në hije“).
Biografia e Dejan Shoshkiqit është interesante. Shoshkiqi u diplomua në Fakultetin Ekonomik të Beogradit më 1989 dhe u shpall studenti i gjeneratës. Aty përfundoi magjistraturën më 1993 dhe doktoraturën në financa më 1999. U specializua gjithashtu në Francë, SHBA dhe në Bankën Kombëtare të Zvicrës, si dhe ishte bursist i programit Fulbright. Shoshkiqi, i cili ka ligjëruar në SHBA, ka qenë guvernator i Bankës Popullore të Serbisë. Dha dorëheqje nga ky post me ardhjen në pushtet të partisë së Aleksandar Vuçiqit.
Dejan Shoshkiqi është i biri i Branisllav Shoshkiqit, i cili u lind më 1922 në Guci, një rajon i Malit të Zi, fare pranë kufirit me Shqipërinë dhe tradicionalisht i dominuar nga shqiptarët.
Branisllav Shoshkiqi ka qenë kryetar i Republikës së Malit të Zi në vitet 1985-1986; më parë ishte kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi. Për një kohë të gjatë ishte profesor i ekonomisë në Universitetin e Beogradit. Vdiq dhe u varros në Beograd më 2022, në moshën 99-vjeçare.
Shkollimin e kreu në Novi Pazar dhe Berane, ku përfundoi gjimnazin. Që kur ishte nxënës gjimnazi, më 1936, u bë anëtar i SKOJ-it (Lidhjes së Rinisë Komuniste të Jugosllavisë). Studimet i nisi më 1940 në Universitetin e Beogradit. Që nga viti 1941 mori pjesë në lëvizjen antifashiste. Në fund të vitit 1941, pushtuesit e arrestuan në Berane dhe e internuan në kampet në Shqipëri, të ngritura nga fashistët italianë.
Branisllav Shoshkiq
Gjatë pushtimit fashist (1941–1943), të internuarit antifashistë nga Mali i Zi dhe Sanxhaku (përfshirë ata të arrestuar në zonën e Berane) zakonisht dërgoheshin në kampet e përqendrimit në Kavajë, Klos (Burrel), Berat, Porto Palermo ose Pukë.
Ndonëse Dejan Shoshkiqi deklarohet si serb. Mediat e afërta me ish-regjimin e Aleksandar Vuçiqit (si „Informer“) e kanë akuzuar si „kuadër malazez“ dhe „pinjoll i një familjeje të regjimit komunist“. Para zgjedhjeve, mediat proqeveritare, Vuçiqi dhe mbështetësit e tij kanë alarmuar, drejtpërdrejt apo tërthorazi, për rrezikun që „malazezët të qeverisin Serbinë“.
Si malazez është cilësuar edhe Ilija Sërdanoviqi, i cili kryesoi Listën Studentore. Në të vërtetë, Sërdanoviqi ka lindur dhe është rritur në Novi Sad të Vojvodinës, në veri të Serbisë, por me origjinë është nga fshati Bukovica, në Parkun Kombëtar të Durmitorit në Malin e Zi. Si aktivist për mbrojtjen e natyrës, Sërdanoviqi ka qëndruar në Bukovicë për të mbrojtur një lumë nga shkatërrimi. Në një kronikë të televizionit të Malit të Zi thuhej se Ilija Sërdanoviqi bëri që Bukovica e Malit të Zi të bëhej fshati më i njohur në rajon. „Banorët krenohen me bashkëvendësin e tyre, i cili u doli në krah kur po mbrohej lumi, por edhe tani, kur mbështeti studentët dhe i udhëhoqi drejt fitores në zgjedhjet në Serbi“.
Në mediat bulevardeske dhe nacionaliste serbe biografia e Sërdanoviqit është “stolisur” edhe me akuza të tjera: pasi u shpall malazez, ai u quajt kandidat i “Kavaçki klan”, një grup i rrezikshëm kriminal nga një fshat afër Kotorit. Gjiri i Kotorrit prej vitesh zë vend në mediat lokale dhe ndërkombëtare, në raportet e instituteve kërkimore perëndimore dhe në njoftimet e policisë – për shkak të një lufte brutale mes dy klaneve rivale të drogës. Njëri quhet Shkaljari, tjetri Kavaçi – emra këta të marrë nga dy fshatra fqinjë pranë qytetit bregdetar të Kotorrit. Lufta mes dy klaneve nisi më 2014 për punë droge. Që atëherë, kjo përplasje ka shkaktuar rreth 70 viktima. Atentatet nuk kanë ndodhur vetëm në të gjithë Ballkanin, por edhe në Spanjë, Gjermani, Austri, Holandë, Greqi, Turqi – madje edhe në Ukrainë. Në këto sulme janë përdorur pushkë automatike, snajperë, mjete shpërthyese dhe bomba të vendosura në vetura.
Sërdanoviq nuk ka të bëjë asgjë me këto klane dhe propaganda e mediave të Vuçiqit kundër tij nuk pati efekt. Siç nuk pati as akuza se Sërdanoviq, kardiolog me profesion, ka qenë mjek personal i Millo Gjukanoviqit, ish-kryetarit shumëvjeçar të Malit të Zi, i cili më 2006, nëpërmjet referendumit, e bëri Malin e Zi të pavarur.
Lidhur me debatet në Serbi mbi “rrezikun e kandidatëve malazezë” nuk kanë munguar as ngacmimet nga Mali i Zi. Politologu Ljubomir Filipoviq shkroi në shtator në rrjetet sociale se „mezi pret“ që Sërdanoviqi të bëhet kryeministër i Serbisë: „Mezi pres që Sërdanoviqi të bëhet kryeministër serb, që të sundojmë sërish atje, pastaj që gjuha malazeze të bëhet gjuhë zyrtare në Serbi, që ai të nënshkruajë Marrëveshjen Themelore me Kishën Malazeze dhe t’u japë pasaporta të gjithë shokëve tanë të rinisë nga Aleanca Liberale dhe lëvizja e komitëve, që të shkojmë e të votojmë në çdo zgjedhje dhe që ai të mos largohet kurrë më nga pushteti“.
Me këto ironi Filipoviq godiste kërkesat e Beogradit ndaj Malit të Zi për t’i dhënë sa më shumë të drejta „popullit serb“ në këtë vend.
Shoshkiq dhe Sërdanoviq nuk janë “malazezët” e vetëm që po sikletosin Vuçiqin dhe përkrahësit e tij. Edhe Radomir Saiçiq, një profesor i kimisë dhe figurë prominente e Listës Studentore, ka thënë se me origjinë është nga Mali i Zi. Madje ai ka deklaruar se është “krenar që është malazez” dhe rrjedh nga fisi i Vasojeviqëve për të cilin ka shumë mite e legjenda, hamendësime e supozime. Një nga to: Vasojeviqët në zanafillë paskëshin qenë fis shqiptar, por më vonë u sllavizuan. Në librin e tij “Jeta dhe zakonet e shqiptarëve”, shkrimtari malazez Mark Milani supozon se ishin dy vëllezër, Vasa e Krasa. Nga Vasa u bënë Vasojeviqët (“serbë” dhe orotodoksë), nga Krasa u bë fisi Krasniqi (“mysliman”). Ndërsa profesor Eqrem Çabej në studimin “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes” shkruan: “Pas traditës fisore të Krasniqëve, këta vetë, Nikajt e Vasojeviqët, janë fise vëllezër, të cilët me kohë u shkëputën: Nikajt mbetën katolikë, Krasniqët u bënë muhamedanë, Vasojeviqët u bënë njëkohësisht ortodoksë e sllavë”. (Këto të dhëna burojnë nga një shkrim i publicistit dhe gjuhëtarit Mehmet Elezi, botuar te revista “ExLibris”, qershor 2024).
Lidhur me deputetin e Listës Studentore Radomir Saiçiq në mediat serbe është pandehur se ai ka lidhje familjare me Aleksandar Lekso Saiçiqin, luftëtarin malazez, emri i të cilit ka mbetur në kujtesë falë legjendës për një duel me një samuraj japonez gjatë Luftës Ruso-Japoneze.
Aleksandar Lekso Saiçiq lindi më 1873 në Vinickë, në krahinën e Vasojeviqëve, në territorin e Malit të Zi të sotëm. Rruga e tij jetësore e çoi nga shkollimi në Cetinë dhe stërvitja ushtarake në Beograd deri te shërbimi në ushtrinë ruse, ku e gjeti Lufta Ruso-Japoneze, e cila filloi në vitin 1904.
Duket se si dikur edhe sot vlen makisma humoristike malazeze: “Jemi pak, por mirë të shpërndarë”. Ndonëse ishin populli më i vogël për nga numri në federatën jugosllave, malazezët ishin jashtëzakonisht të përfaqësuar në pozitat e larta drejtuese, politike, ushtarake dhe në funksionet e drejtorëve në mbarë Jugosllavinë.

