Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet Ç.Zh., i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale të grabitjes.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, grabitja kishte ndodhur më 10 tetor 2026, rreth orës 15:00, në rrugën “Anton Çeta” në Gjakovë, në një biznes me inicialet “R.M.T”.
I pandehuri dyshohet se, i maskuar dhe nën kërcënimin e thikës, e kishte kanosur punonjësen e biznesit dhe më pas kishte marrë nga një dollap paratë në vlerë prej 7,660 eurosh.
Prokuroria ka bërë të ditur se me këto veprime, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale “Grabitja”, nga neni 317, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit./Telegrafi/

