Presidenti amerikan Donald Trump mund t’i konsiderojë miq presidentin rus Vladimir Putin dhe atë kinez Xi Jinping, por ndjenjat nuk janë të ndërsjella. Kështu ka deklaruar ish-këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, John Bolton, duke kritikuar ashpër qasjen e Trumpit ndaj dy liderëve.
“Ju garantoj se ata nuk e shohin atë në të njëjtën mënyrë”, deklaroi Bolton për NewsNation.
Sipas Boltonit, Trump beson se marrëdhëniet personale mes liderëve mund të ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve ndërmjet shteteve.
Megjithatë, ai theksoi se Putini dhe Xi Jinping nuk funksionojnë sipas kësaj logjike.
Ai i përshkroi dy presidentët si “figura të ashpra të historisë”, të cilët udhëhiqen nga interesat kombëtare dhe jo nga miqësitë personale.
Sipas Bolton, mënyra për t’u imponuar respekt liderëve autoritarë është të flasësh gjuhën që ata kuptojnë.
“Duhet të flasësh gjuhën e tyre, që është gjuha e fuqisë”, deklaroi Bolton.
Ish-këshilltari amerikan ishte po aq kritik edhe ndaj rezultateve të takimit mes tre presidentëve.
“Për sa i përket përmbajtjes, do ta vlerësoja pothuajse me zero”, tha Bolton.
Ai komentoi deklaratën e përbashkët të publikuar pas takimit, e cila fillonte me thirrjen për reformimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe përfundonte me qëndrimin se një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të zhvillohet kurrë.
Bolton kujtoi se kjo shprehje ishte përdorur shpesh edhe nga ish-presidenti amerikan Ronald Reagan.
“Përveç kësaj, takimi nuk kishte përmbajtje”, u shpreh ai.
Sipas Boltonit, nëse janë zhvilluar diskutime me rëndësi, ato mund të kenë ndodhur gjatë bisedimeve të ndara të Trumpit me Putinin dhe Xi Jinpingun.
Megjithatë, ai pranoi se nuk ka shumë informacione për përmbajtjen e këtyre bisedimeve. /

