KORREKT / SOT20 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Betohen 16 ekspertë gjyqësorë/ Gërvalla: Integriteti i ekspertit gjyqësor ka rëndësi për të gjithë procesin gjyqësor

Betohen 16 ekspertë gjyqësorë/ Gërvalla: Integriteti i ekspertit gjyqësor ka rëndësi për të gjithë procesin gjyqësor

Në objektin e Ministrisë së Drejtësisë, sot janë betuar 16 ekspertë gjyqësorë, duke marrë zyrtarisht përgjegjësitë e përcaktuara me ligj për ushtrimin e këtij profesioni.

Në ceremoninë e dorëzimit të licencave dhe betimit, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, foli për rëndësinë e ekspertizës gjyqësore në funksion të një sistemi drejtësie që mbështetet në fakte të vërtetuara, vlerësime profesionale dhe vendimmarrje të besueshme.

Ministrja Gërvalla theksoi se pavarësia profesionale dhe integriteti i ekspertëve gjyqësorë janë thelbësore për cilësinë e procesit gjyqësor dhe besueshmërinë e ekspertizës.

“Pavarësia e gjykatës në vendimmarrje duhet të mbështetet edhe në pavarësinë e atyre që ofrojnë ekspertizën profesionale. Kjo është arsyeja pse integriteti i ekspertit gjyqësor ka rëndësi për të gjithë procesin gjyqësor”, deklaroi Ministrja Gërvalla.

Ajo tha se ekspertët gjyqësor duhet të ruajnë pavarësinë dhe paanshmërinë profesionale, edhe në rastet kur përfundimet e ekspertizave mund të kundërshtohen apo të mos përputhen me pritjet e palëve.

“Në praktikë, përfundimet e një ekspertize jo gjithmonë do t’u përgjigjen pritjeve të palëve. Ndonjëherë ato mund të kundërshtohen, të vihen në dyshim apo të shkaktojnë pakënaqësi. Pikërisht në këto rrethana merr rëndësi të veçantë pavarësia profesionale dhe mbështetja e përfundimeve në fakte dhe në njohuri shkencore”, u shpreh Ministrja Gërvalla.

Duke iu drejtuar 16 ekspertëve të licencuar, Ministrja Gërvalla theksoi se besimi në aftësitë dhe integritetin e tyre profesional duhet të shoqërohet me përgjegjësi të lartë në ushtrimin e detyrës.

“Me licencimin e sotëm, ne shprehim besimin në aftësitë dhe integritetin tuaj profesional. Jam e bindur se me përvojën dhe dijen tuaj do të jepni një kontribut të çmuar në cilësinë e drejtësisë në vendin tonë”, tha Ministrja Gërvalla.

Ceremonia u përmbyll me betimin e ekspertëve gjyqësorë, përmes të cilit ata u zotuan se detyrën do ta ushtrojnë me ndërgjegje të lartë, pavarësi, paanshmëri dhe profesionalizëm, në përputhje me normat ligjore, etike dhe standardet shkencore e profesionale.

Ndiq zhvillimet e kësaj ngjarjeje ↗

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.