Drejtori i Financave në komunën e Gjakovës, Durim Halilaj ka reaguar ndaj ndarjes buxhetore për komunën e tij.
Halilaj ka thënë Gjakova vazhdon të jetë e izoluar nga Qeveria Kurti dhe se komuna në fjalë po shfrytëzohet vetëm për vota.
“Për vota në Gjakovë, e paret e projektet në komunat e veta!
Kur ju duhen votat, s’ju ndaheni çarshisë së vjetër, krenoheni me “Yjet e Gjakovës” e mbani ligjërata qysh Gjakovës i duhen njerëzit e vet në pushtet që të kryhen punët.
Por siç ndodh gjithmonë kur flet për matematikë, Albin Kurti prap ja ka huq me konstatimin se “kudo që ka matematikisht sukses, ka një gjakovar në udhëheqje”. Gjakovarë ke plot afër vetes, kryeministër, por s’e ke gjakovarin e duhur, atë që nga niveli lokal ju ka dhënë shkollë tash e sa vjet se qysh duhet me punu e me e dashtë vendin.
Mbrëmë e vërtetuat edhe vet për të satën herë, që posa kryhet fushata, Gjakovës ia ktheni shpinën.
Mbi 6 vjet e keni lënë Gjakovën të izoluar duke e lënë rrugën Dollc–Klinë në mëshirë të fatit. Çdo projekt e çdo kërkesë të komunës e keni bllokuar me qëllim, e mbrëmë ia dhatë edhe thikën e fundit me buxhetin e vitit 2027.
Ku janë projektet për Gjakovën?
Ku janë gjithë ata emra që kanë marrë votë për të qenë zëri i qytetarëve në kuvend?
Mbrëmë për komunën tonë folën veç deputetët e Aleancës.
Qeveria i vazhdon bllokadat e qytetarët që ia besuan votën vazhdojnë të pësojnë në kurriz të paditurisë, inateve e mos punës së tyre” shkruan Halilaj në reagim./Indeksonline/

