Tifozët e Manchester Unitedit kanë pasur një mundësi të pazakontë dhe të papritur për të ndjekur nga afër seancën e parë stërvitore të trajnerit të ri, Mauricio Pochettino, pasi pamjet u filmuan nga një dron pranë qendrës stërvitore “Carrington”.
Plot 12 minuta të kësaj seance u xhiruan nga operatori i dronit dhe u publikuan në YouTube.
Në video shihen qartë Pochettino dhe futbollistët e tij, të ndarë në tre grupe, të filmuar nga kënde dhe distanca të ndryshme, transmeton IndeksOnline.
Përballë dyshimeve rreth ligjshmërisë së këtij veprimi, operatori i dronit sqaroi se fluturimi u krye në hapësirë ajrore të pakufizuar, në linjë të drejtpërdrejtë shikimi dhe pa fluturuar mbi apo afër lojtarëve, në përputhje të plotë me rregullat e Autoritetit të Aviacionit Civil (CAA).
Ai shtoi se posedon të gjitha licencat dhe sigurimet e nevojshme, duke mohuar se ka zbuluar taktika, pasi pamjet u regjistruan vetëm gjysmë ore pas nisjes së seancës së parë, ku ishin të pranishme edhe shumë medie të tjera.
Ndërkohë, udhëzimet e CAA-së paralajmërojnë se përdorimi i dronëve në hapësira ku njerëzit presin privatësi mund të përbëjë shkelje të ligjeve për mbrojtjen e të dhënave.
Nga ana tjetër, Manchester United ka refuzuar të komentojë rastin, ndërsa stërvitja u filmua edhe nga kanali zyrtar i klubit.
Nën urdhrat direkt të Pochettinos po stërviteshin 10 lojtarë të fushës, ndonëse duket e vështirë që ky të jetë formacioni startues për derbin e së dielës në udhëtim ndaj Liverpoolit.
Jo të gjithë futbollistët ishin të identifikueshëm në pamje, por klubi konfirmoi se në seancë mori pjesë edhe mbrojtësi Patrick Dorgu. /IndeksOnline/

