Milani po planifikon një investim të madh në repartin ofensiv gjatë afatit kalimtar të janarit, por ende nuk është e qartë se cili është objektivi kryesor i gjigantit italian: Endrick i Real Madridit apo Nicolo Tresoldi i Club Brugge.
Sipas “La Gazzetta dello Sport”, kuqezinjtë kanë në dispozicion rreth 70 milionë euro dhe synojnë të transferojnë vetëm një sulmues. Presidenti Gerry Cardinale po shqyrton mundësitë për të dy futbollistët.
Për Endrickun, mediat braziliane raportojnë se Real Madridi është tashmë i hapur për një shitje përfundimtare, me çmim prej 60 deri në 70 milionë euro, duke përfshirë mundësinë e një klauzole riblerjeje. Milani i ofron brazilianit një rol të rëndësishëm në formacion.
Në anën tjetër, në listën e Milanit është edhe Tresoldi, për të cilin Club Brugge kërkon të paktën 60 milionë euro. Klubi belg preferon ta mbajë sulmuesin deri në verë, ndërsa në garë për Endrickun raportohet të jetë edhe Roma.
Kështu, Milani pritet të ketë një vendim të rëndësishëm në janar, me dy emra që janë në qendër të planeve për përforcimin e sulmit.
/GazetaBlic Sport/

