Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mohuar akuzat për nepotizëm në institucionet publike, duke thënë se asnjë nga familjarët e tij nuk është avancuar në punë për shkak të lidhjeve familjare me të.
Ai i është kundërpërgjigjur deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu, e cila e ka pyetur nëse vazhdon ta mbajë qëndrimin e tij se “farefisi dhe familjarët janë për dasma dhe jo për institucione”.
Musliu ka thënë se ndoshta Kurti nuk është në dijeni të punësimeve të familjarëve të zyrtarëve, derisa ka përmendur një listë me emra dhe mbiemra të tyre që punojnë në institucione publike.
Në përgjigjen e tij, Kurti ka thënë se familjarët e tij nuk kanë përfituar nga pozita e tij, duke theksuar se as vëllezërit dhe as prindërit e tij as nuk kanë vizituar zyrën e tij në Qeveri.
“Katër herë jam zgjedhur kryeministër, por nuk jam qe 16 vjet, por qe gjashtë vjet. Dhe a dini çfarë? As dy vëllezërit e mi, as prindërit e mi nuk kanë ardhur kurrë në ndërtesën e zyrën time të qeverisë. Ma gjeni një Kurti që u avancu ndokund. Absolutisht nuk mund ta gjeni asnjë që për shkak lidhjeve me mua përparoi diku”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka kërkuar që të paraqiten raste konkrete kur, sipas tij, kandidatët janë favorizuar për shkak të lidhjeve familjare, duke theksuar se vetëm listimi i familjarëve të zyrtarëve nuk dëshmon nepotizëm.
“Edhe kur kemi qenë në opozitë, anëtarët e familjeve tona nuk është që s’kanë punu dikun. E para. E dyta, dukuria e nepotizmit edhe korrupsionit nuk ekziston më në Kosovë”, ka shtuar ai

