Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka mbërritur në Berlin, ku sot do të marrë pjesë në takimin e Koalicionit të të Gatshmëve, ku do të diskutohen hapat për përfundimin e luftës dhe garantimin e sigurisë së Ukrainës.
Zelenskyy ka bërë të ditur se në këtë takim do të përfaqësohen më shumë se 40 partnerë, përfshirë edhe ekipin e presidentit amerikan.
Ai ka theksuar se prioritetet e Ukrainës në këto bisedime janë forcimi i mbrojtjes ajrore, mbështetja për sektorin e energjisë dhe ajo financiare, si dhe avancimi i procesit diplomatik.
“Po bëjmë gjithçka për të siguruar pjesëmarrjen e plotë të Evropës në procesin e negociatave dhe që këto takime të jenë produktive”, ka deklaruar Zelensky, raporton The Guardian,.
Ai ka njoftuar se gjatë qëndrimit në Berlin janë planifikuar edhe takime dypalëshe me partnerët evropianë, përfshirë kancelarin gjerman, Friedrich Merz.
Po ashtu, do të mbahet një takim në një format që përfshin përfaqësuesit amerikanë dhe këshilltarët e sigurisë kombëtare të vendeve evropiane.

