“Na duhet stabilitet institucional për të ecur përpara”, ka deklaruar kryeministri Albin Kurti në seancën e Kuvendit, ku ka folur për strategjinë energjetike.
Kurti ka thënë se pajtohet me vlerësimin e deputetit Besnik Tahiri se gjatë pesë vjetëve e gjysmë të fundit ka pasur ndryshime të rëndësishme në gjeopolitikë, gjeostrategji dhe zinxhirët e prodhimit e furnizimit.
Ai ka përmendur luftën në Ukrainë dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme si faktorë që kanë ndikuar në furnizimin me energji dhe në inflacion.
Kurti ka thënë se Qeveria mbetet e përkushtuar ndaj burimeve të ripërtëritshme, efiçiencës së energjisë dhe kogjenerimit, por ka shtuar se në programin e saj është përfshirë edhe shqyrtimi i mundësisë së gazifikimit të linjitit.
“Por për vizionin tonë përpara, jo vetëm që kemi theksuar burime të ripertrishme dhe që i qendrojmë asaj. Jo vetëm që kemi potencuar eficiencën dhe kogjenerimin, por njëkohësisht në zgjedhjet e fundit kemi fituar edhe me zotimin tonë për shqyrtimin serioz, sa më parë të mundësisë për gasifikimin e linjitit”, ka deklaruar ai.
Kreu i Qeverisë ka thënë se Kosova ka rezerva të mëdha të linjitit, të cilat, sipas tij, vlerësohen nga 10 deri në 14 miliardë tonë.
“Të nderuar deputetë, Kosova thuhet ka prej 10 deri në 14 miliard ton qymyr, përkatësisht linijit. Këto janë rezervat e pesta në botë e dytat në Evropë. Vetëm Gjermania Lindore ka më shumë rezerva sesa ne. Dhe për dallim prej nesh e për më keq se ne, atje duhen nxjerrë 10 metra kub dhe për të marrë një metër kub qymyr. Te ne ky raport nuk është 10 me 1, po është 1 me 1. Ne qymyrin do ta përdorim. Por ajo që ka ndryshuar prej para pesë viteve e gjysmë, është edhe fakti i tejet i rëndësishëm, me dy zhvillime pozitive në Republikën e Kosovës, pa të cilat ne nuk kishim mundur të ecim përpara. Në njërën anë janë zhvillimet në veri të Kosovës, ka sundim të ligjit, ka pagesë të energjisë elektrike dhe mbi të gjitha ka kontroll të liqenit të Ujmanit”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka përmendur edhe zhvillimet në veri të Kosovës, duke thënë se kontrolli i Liqenit të Ujmanit dhe pagesa e energjisë elektrike atje janë të rëndësishme për planifikimin e kapaciteteve të reja energjetike.
“Nuk mund të bësh planifikime të reja, nuk mund të zhvillosh vizione e strategji për kapacitete energjetike, përderisa nuk e kontrollon Ujmanin”, ka deklaruar Kurti.
Kurti ka theksuar rëndësinë e stabilitetit institucional për hartimin dhe zbatimin e planeve afatgjata në sektorin e energjisë.
“Ne tash e dy vjet nuk kemi stabilitet. Në muajt e ardhshëm, të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, bëhen tri vjet që fondi sovran me ligj të miratuar në Kuvend ndodhet në sirtarët e plurosur të Gjykatës Kushtetuese. Neve na duhet stabilitet institucional për të ecur përpara”, ka deklaruar ai.

