Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i është përgjigjur kritikave të deputetes së PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, lidhur me mungesën e barnave në institucionet shëndetësore dhe suspendimin e katër farmacistëve, si dhe protestën e paralajmëruar nga profesionistët e rinj shëndetësorë.
Duke folur në Kuvendin e Kosovës, Vitia ka thënë se hetimi për procesin e furnizimit me barna ka nisur muaj më parë nga Bordi dhe Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK), ndërsa suspendimet janë bërë pas evidentimit të problemeve.
Ai ka theksuar se hetimi nuk ka përfunduar dhe se masat do të vazhdojnë edhe nëse përgjegjësia rezulton të shtrihet në nivelet më të larta të menaxhmentit të ShSKUK-së.
“Ky hetim nuk përfundon këtu. Ajo që është evidentuar është marrë masa, disa janë dërguar në hetim disiplinor dhe, nëse ka telashe deri në zinxhirin më të lartë të Bordit të ShSKUK-së, do të njoftoheni për masat”, ka deklaruar Vitia.
Sa i përket protestës së profesionistëve shëndetësorë dhe anulimit të takimit me ta, ministri ka mohuar se arsyeja ka qenë shmangia e takimit, duke thënë se në atë kohë ishte duke marrë pjesë në interpelancë parlamentare.
Vitia ka thënë se ka takuar përfaqësuesit e organizatave studentore dhe se ka diskutuar me ta për kërkesat e tyre, ndërsa ka pretenduar se një pjesë e çështjeve po trajtohen edhe në nivel institucional.
Duke folur për kërkesën për sigurimin e vendeve të punës për mjekët e rinj, ministri ka bërë të ditur se Ministria e Shëndetësisë është në fazën përfundimtare të hartimit të një strategjie për resurset njerëzore në shëndetësi.
“Është hera e parë që MSH-ja është gati në përfundim të një strategjie për resurset njerëzore që e prek këtë pjesë”, ka thënë ai.
Për kërkesën që specializimet të hapen çdo vit, Vitia ka deklaruar se kjo është bërë vazhdimisht gjatë mandatit të kësaj qeverie, me përjashtim të periudhës së pandemisë.
“Jemi qeveria e vetme që tash është hera e pestë që kemi hapur shkollim specialistik, përveç pandemisë. Në çdo vit i bie kemi hapur shkollim specialistik dhe pritet që për pak muaj të hapet përsëri”, është shprehur ministri.
Ai ka komentuar edhe kërkesat e tjera të mjekëve të rinj, përfshirë pagesën e stazhit, ndryshimet në udhëzimin administrativ për shkollimin specialistik, pikëzimin e kandidatëve të diplomuar në Universitetin e Prishtinës dhe transparencën në rezultatet e specializimeve.
Sa i përket kërkesës për përparësi në pikëzim për kandidatët e diplomuar në UP, Vitia ka thënë se një gjë e tillë nuk mund të bëhet.
Ndërkaq, për transparencën në procesin e specializimeve, ai ka ftuar të interesuarit që të shohin sistemin e ri digjital, për të cilin ka thënë se siguron transparencë në këtë proces.
Në fund, ministri ka folur edhe për kërkesën për rritjen e koeficientit të pagave, duke thënë se disa nga kërkesat janë miratuar, ndërsa të tjerat nuk kanë qenë në kompetencën e drejtpërdrejtë të Qeverisë. /Lajmi.net/

