Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka ngritur shqetësimet e tij në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës lidhur me situatën e rëndë mjedisore të krijuar si pasojë e djegies së deponisë rajonale të mbeturinave në qytetin e Pejës prej 10 ditësh duke kërkuar ndërhyrje emergjente nga institucionet qeveritare.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Gashi bëri të ditur se tymi i dendur na djegia e mbeturinave urbane ka mbuluar një zonë të gjerë duke përfshirë zonën e Sverkës, Leshanit, Dresnikut, Lutogllavës, Nabergjanit, Ruhotit, ku jetojnë rreth 20 mijë banorë.
Sipas tij gjendja është rënduar edhe më shumë nga kushtet e pafavorshme atmosferike – mjegulla, shiu dhe presioni i ulët i ajrit të cilat po e mbajnë tymin toksik pranë tokës.
Deputeti theksoi se nevojitet ndërhyrje urgjente maksimale nga Ministria përkatëse duke paralajmëruar se kjo ndotje e ajrit po rrezikon drejtpërdrejt jetën dhe shëndetin e qytetarëve, ‘kjo çështje është bërë burim kanceri për banorët e kësaj treve‘, tha Gashi.

