Një debat është zhvilluar në Kuvendin e Kosovës mes deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, dhe ministres së Mjedisit, Fitore Pacolli, lidhur me djegien e deponisë rajonale të mbeturinave në fshatin Sferkë të Pejës, e cila tash e dhjetë ditë po shkakton tym dhe shqetësim për banorët e zonës.
Deputeti Gashi ka kërkuar ndërhyrje urgjente nga institucionet, duke thënë se tymi i deponisë po rrezikon shëndetin dhe jetën e rreth 20 mijë banorëve të disa vendbanimeve të kësaj zone.
Ai ka thënë se në këtë situatë nuk ka rëndësi se cilit institucion i takon përgjegjësia për menaxhimin e deponisë, por se prioritet duhet të jetë mbrojtja e qytetarëve.
“Po rrezikohet jeta e njerëzve, kjo është emergjente. Shpëtoni jetën e qytetarëve, pastaj kush e ka fajin, shkoni në gjykata e prokurori, le të shkojë në burg kushdo që ka faj”, ka deklaruar Gashi.
Ai ka kundërshtuar edhe arsyetimin se deponia është nën përgjegjësinë e Komunës së Pejës, duke theksuar se bëhet fjalë për një ndërmarrje publike rajonale ku deponojnë mbeturina edhe komunat e tjera.
“S’po ju sulmoj politikisht, po bëj kërkesë të mbrohet jeta e njerëzve. Aty po dalin tymra toksikë, jeta e njerëzve është në rrezik”, ka thënë deputeti i LDK-së.
Gashi ka kërkuar që institucionet të ndërhyjnë menjëherë dhe më pas t’ia faturojnë shpenzimet Komunës së Pejës, nëse vërtetohet përgjegjësia e saj.
“Bëni ndërhyrje urgjente, dërgojani pastaj faturën Komunës dhe ndaljani buxhetin. Nuk ka rëndësi e kujt është”, ka deklaruar ai.
Në anën tjetër, ministrja Fitore Pacolli ka thënë se shqetësimi për djegien e deponisë është i drejtë, por ka theksuar se përgjegjësia primare për menaxhimin e saj i takon Komunës së Pejës.
“Deponia e Sferkës është nën menaxhimin e drejtpërdrejtë të Komunës së Pejës dhe, për sa kohë është në administrimin komunal, përgjegjësia primare për mirëmbajtjen, keqmenaxhimin dhe pasojat bien ekskluzivisht mbi Komunën e Pejës”, ka deklaruar Pacolli.
Ajo ka thënë se Ministria dhe Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK) nuk kanë kompetenca të drejtpërdrejta mbi këtë deponi, por se kanë qenë të angazhuara në koordinimin e përpjekjeve për shuarjen e zjarrit.
Sipas saj, në këtë proces janë përfshirë edhe Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) dhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK).
Pacolli ka thënë se zjarri kishte nisur që në korrik dhe se institucionet kishin ndërhyrë edhe atëherë, por kushtet aktuale atmosferike dhe lagështia po e vështirësojnë intervenimin me makineri.
“Ne duhet ta mbajmë përgjegjëse Komunën e Pejës, sepse nuk mund ta fikim zjarrin ne kur është e pamundur. I kemi ekspertët në terren që thonë se vetëm me mbulimin me dhe mund të ndërhyjmë”, është shprehur ministrja.
Ajo ka paralajmëruar gjithashtu se me ligjin e ardhshëm KMDK-ja do t’i marrë kompetencat për menaxhimin e kësaj deponie, duke thënë se synimi është që situata të mos përsëritet.
Gjatë debatit, Pacolli i është kundërpërgjigjur Gashit duke thënë se do të priste që shqetësimi për menaxhimin e deponisë të ngrihej edhe më herët, kur sipas saj kishte pasur dyshime për keqmenaxhim.
“Ka korrupsion në këtë deponi dhe tani kërkoni ne të ndërhyjmë. Në momentin që ne e marrim në kompetencë deponinë, do të jetë ndryshe”, ka deklaruar Pacolli.
Ajo ka përsëritur se Komuna e Pejës duhet të japë llogari për atë që ka ndodhur ndër vite në menaxhimin e deponisë. /Lajmi.net/

