Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se gjatë javës së ardhshme pritet drafti i parë i strategjisë shtetërore për procesin në Dhomat e Specializuara, si dhe drafti i parë i një ligji të ri për këtë gjykatë.
Duke folur në Kuvend, Kurti tha se drafti i strategjisë do të dorëzohet nga Grupi Punues Shtetëror, i cili përfshin përfaqësues të institucioneve relevante dhe të partive politike parlamentare, si dhe ekspertë juridikë.
Ndërkaq, drafti i ri i ligjit pritet të përgatitet nga ekspertët juridikë, me synimin që përmbajtja e tij të shqyrtohet me kujdes dhe të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
“Ne presim që në javën e ardhshme grupi punues për strategjinë shtetërore përkatëse ta sjell draftin e parë. E ju e dini që në këtë grup punues janë të përfaqësuara të gjitha institucionet relevante dhe partitë politike parlamentare. Aty janë gjithë të gjithë bashkë dhe natyrisht që janë angazhuar edhe ekspertë juridik për t'i ndihmuar ata. Këta ekspertë juridik po e ndihmojnë grupin punues dhe ne presim strategjinë në javën e ardhshme. Por, nga disa prej këtyre ekspertëve dhe ekspertët tjerë, po të tjerë që mund të kontribuojnë ndërkohë, presim gjithashtu që në javën e ardhshme të na e sjellin draftin e ri të një ligji të ri përkatës për dhomat e specializuara”, ka deklaruar ai.
Ai theksoi se qëllimi është që të hartohet një ligj që do të ketë efekt në praktikë dhe që do të kontribuojë në drejtësi, duke shtuar se nuk mjafton vetëm qëllimi i mirë, por nevojitet edhe një rezultat konkret.
Ai gjithashtu shprehu bindjen se aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së do të korrigjohet në shkallën e dytë, në procesin e Apelit.

